Telegrafi

Scaroni: Stadiumi i ri i Milanit është prioritet pas rezultateve në Ligën e Kampionëve

Presidenti i Milanit, Paolo Scaroni këmbëngul se një stadium i ri për kuqezinjtë dhe rivalët e tyre të qytetit, Interin, është një prioritet, veçanërisht pas arritjeve të tyre në Ligën e Kampionëve.

Djelmoshat e Stefano Piolit janë kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve për herë të parë pas 11 vitesh, duke mposhtur Tottenhamin e Antonio Contes me rezultat të përgjithshëm 1-0.

Interi dhe Napoli janë gjithashtu në mesin e tetë klubeve më të mira në Evropë këtë sezon dhe ata mund të takohen në çerekfinale në shortin e së premtes.

Lexo po ashtu Milani shtyn përpara planet e reja të stadiumit pa Interin

“Pa dyshim, një derbi evropian do të ishte një ngjarje globale, do të thoshte shumë për qytetin e Milanos, i vetmi qytet në Evropë me dy klube në këtë nivel në Ligën e Kampionëve”, ka thënë fillimisht Scaroni për Gazzetta dello Sport.

“Ky rezultat konfirmon prioritetin për t’i dhënë klubeve një stadium të ri, për të vazhduar konkurrencën në skenën ndërkombëtare”.

 

Interi dhe Milani po punojnë në dy projekte të ndryshme për një stadium të ri dhe kuqezinjtë duken të vendosur të ndërtojnë arenën e tyre pa Interin në zonën e La Maura, jo shumë larg nga San Siro. Interi ende shpreson se Milani do të pranojë të ndërtojë stadiumin e ri me ta në San Siro.

Scaroni nuk është i bindur se një derbi italian në çerekfinale do të ishte një gjë e mirë për futbollin italian.

Lexo po ashtu Drejtori i Interit, Marotta shpreson të takohet me Milanin në finalen e Ligës së Kampionëve

“Unë do të doja që të gjitha klubet e Serie A të kenë një shans për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, do të ishte një sukses i madh,” tha ai.

“Tetë klubet e mbetura në garë janë më të mirët në futbollin evropian, ne jemi gati për një ndeshje të menduar por emocionuese pavarësisht kundërshtarit”, përfundoi presidenti i Milanit.

Nga ana tjetër, drejtori i Interit, Beppe Marotta tha se takimi me Milanin në çerekfinale do të ishte i mirë, edhe nëse gjëja më e mirë do të ishte një derbi evropian në finalen e Stambollit. /Telegrafi/