Site icon Telegrafi

SBASHK-u nuk lëshon pe: Mësimdhënësit në grevë nga 13 prilli

Greva e përgjithshme në arsim do të fillojë më 13 prill (të premten e ardhshme). Ky vendim i Sindiakatës Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) është i pakthyeshëm pavarësisht përpjekjeve nga zyrtarë të Ministrisë së Arsimit që t’i bindin për të kundërtën.

Drejtuesit e SBASHK-ut kanë thënë se greva e paralajmëruar do të mbahet pasi që  pasi që Qeveria e Kosovës ende nuk i ka dhënë dritën e gjelbër për në Kuvendin e Kosovës projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit në vitet 1990-1999.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha për  KosovaPress se duke parë se asgjë nuk po ndërmerret që ky projektligj të procedohet në Kuvend, greva do të vazhdojë ashtu siq edhe është paralajmëruar.

“Kjo grevë fatkeqësisht nuk do të jetë sikur këto të parat, një orëshe, dy orëshe apo një ditore,  por do të jetë një grevë në kohë të pacaktuar, gjegjësisht deri në realizimin e kërkesave. Dhe unë po them kërkesë sublime e SBASHK-ut për të cilën jemi edhe më së shumti në grevë është fati i pazgjedhur i ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90’ta”, tha Jasharaj.

Ai tha se nuk mund të tërhiqen nga greva pasi që Qeveria e Kosovës ka pasur kohë të mjaftueshme për ta zgjedhur këtë problem.

Jasharaj tregon se për grevën e 13 prillit nëpërmjet një shkrese zyrtare i kanë informuar të gjitha institucionet.

“Ne iu kemi dërguar shkresa zyrtare me apelin që ata të veprojnë në mënyrë që të mos vijë deri tek greve 13 prillit, ata  e dinë që nëse gjendja është kështu do të ketë grevë, po e them se e keqja më e madhe është se kur të fillon greva do të ngritën në këmbë për të na fajësuar ne. Unë  po them fati i ligjit për mësimdhënësit e viteve 90’ta nuk është i sotëm, kjo ecje e ngadalshme ka filluar që nga viti 2013, pra po bëhen plot 5 vite e shteti ynë nuk është në gjendje ta realizojë një obligim siç po thotë edhe kryeministri edhe të tjerët një obligim moral ndaj atyre viteve, kanë pasur kohë mjaft, por mungon vullneti dhe sinqeriteti nganjëherë i tyre”, tha ai.

Jasharaj sqaron se nga ministri  i  Punës Skënder Reçica është informuar se ky projektligj është parë si ngarkesë buxhetore.

“Ai na argumentoi se ashtu siç është dashur. Ai  e ka bërë atë pjesën buxhetore e ka planifikuar në kornizën afatshkurtër të buxhetit. Domethënë  në kuadër të Ministrisë së tij  e ka paraparë si harxhime buxhetore, ngarkesë buxhetore edhe ligjin tonë, por ajo që ne po kërkojmë është që ky ligj të dal në rend dite në Qeveri dhe ajo t’ia jep dritën e gjelbër për parlament”, tha Jasharaj.

Kreu i SBASHK-ut thotë se  Qeveria  duhet të reflektojë ndaj kërkesave të tyre pasi që greva nuk i bën mirë askujt, kur dihet se tani është afër testi PISA, dhe testet tjera me interes për nxënësit e Kosovës.

KosovaPress ka pritur me ditë të tëra për të marr një përgjigje nga zyrtarë të MASHT-it lidhur me paralajmërimet për grevën por ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e tyre.

Por ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi në një deklaratë për televizionin publik ka bërë të ditur se  Ligjin për punëtorët e arsimit të viteve 90’ta e kanë dorëzuar në Qeveri, por që kanë hasur në disa probleme për shkak të buxheti.

Megjithatë ministri kërkon mirëkuptim nga SBASHK-u për të mos u mbajtur grevat pasi që ato e dëmtojnë procesin mësimor, tani kur afër është testi PISA dhe testi i Maturës Shtetërore.

“Kam pasur takim me SBASHK-un,  kam kërkuar që të kemi një mirëkuptim dhe të gjejmë zgjidhje sepse jemi në një fazë më të rëndësishme,  testi PISA, pastaj e kemi edhe testin e Maturës dhe do na dëmtonte vërtetë shumë çështja e grevave. Nuk ka logjikë që të futen në grevë kur ne jemi duke u përpjekur për të gjetur zgjidhje, dhe unë shpresoj që brenda një periudhe shumë të shkurtër kjo do merr rrugë zgjidhje”, ka thënë  Bytyqi.

Ndryshe në shkurt dhe në mars janë mbajtur greva një ditore në arsim ku mësimdhënësit kanë kërkuar që projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit të viteve 1990-1999 të kalojë për miratim në Kuvend./Telegrafi/

Exit mobile version