Site icon Telegrafi

SBASHK-u në takim me Nagavcin pa rezultate konkrete: Protesta e paralajmëruar do të mbahet

Pas konferencës për media të mbajtur të martën, përfaqësuesit e SBASHK-ut janë takuar me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe zv.ministrin Taulant Kelmendi në ambientet e MASHTI-t.

Në takim morën pjesë kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, nënkryetarja Vjollca Shala, sekretari i përgjithshëm Ymer Ymeri dhe zyrtari ligjor Blendor Shatri.

Siç njofton SBASHK-u, takimi u mbyll pa ndonjë rezultat konkret. Sipas SBASHK-ut, ministrja Nagavci nuk tregoi gatishmëri për të diskutuar konkretisht mbi kërkesat legjitime të sindikatës, të cilat janë bërë publike prej kohësh.

“Ky takim përfundoi pa asnjë rezultat, pasi ministrja Nagavci nuk ishte e gatshme të bisedojë konkretisht për kërkesat tona. Shprehim keqardhje për këtë qëndrim dhe për këtë arsye protesta e katërt e paralajmëruar do të mbahet nesër,” thuhet në njoftim.

Gjithashtu, SBASHK ka paralajmëruar se Këshilli Drejtues do të vendosë për veprime të tjera sindikale.

Ata kanë shpresuar që gjatë protestës së nesërme, përfaqësuesit e MASHTI-t të angazhohen në bisedime për të arritur një marrëveshje të pranueshme për të dy palët./Telegrafi/

Exit mobile version