Site icon Telegrafi

SBASHK-u në ditën e parë të vitit shkollor ka një porosi për klasën politike

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK), në ditën e parë të fillimit të procesit mësimor në shkollat e vendit, ka drejtuar një apel deputetëve dhe liderëve të subjekteve politike, që të kenë kujdes në paraqitjet e tyre publike dhe në rrjetet sociale.

Në këtë mesazh thuhet se ata në takime të mbyllura, le të shprehen si të duan, sepse kjo sipas tyre, tregon kulturën që kanë.

“Por, në paraqitjet publike duhet të kenë kujdes, sepse populli dhe rinia jonë në veçanti i kanë sytë në ta. Obligim i përfaqësuesve të popullit është  të punojnë në shërbim të qytetarëve dhe të arsimit e sektorëve të tjerë e jo të bëjnë gara se kush e ka fjalorin më ofendues e më banal”, thuhet në këtë letër.

“As mësuesi, as prindi, as nxënësi e as kushdo tjetër nuk mund të dalë fitues i vetëm karshi sfidave dhe kërkesave të kohës për arsimim sa më cilësor e për dije të shekullit 21. Misionin e shenjtë të edukimit e arsimimit nuk mund ta realizojmë as duke u kritikuar e fyer pa fakte, por duke u bashkuar në frontin e përbashkët e me qëllimin e përbashkët e të sinqertë për arritje edhe më të mëdha në tërë sistemin arsimor të Kosovës. SBASHK-u, duke drejtuar këtë apel publik dhe këtë urim për një vit të mbarë shkollor  u drejtohet  edhe deputetëve e liderëve të subjekteve politike që të kenë kujdes fjalorin në paraqitjet publike dhe në rrjetet  sociale. Të kenë kujdes edhe në sjelljet e tyre publike dhe në Parlamentin e  Kosovës sepse, jo pak nga ata, me paraqitje  e fjalor që nuk përkon me  figurën e të zgjedhurit  dhe përfaqësuesit të popullit, po krijojnë ndjenjën e mungesës së një të ardhme më të mirë për popullin e Kosovës  dhe po ndikojnë me fjalorin e rënd e banal edhe në keq edukimin e brezave të ri”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut. /Telegrafi/

Exit mobile version