Site icon Telegrafi

SBASHK-u nderon mësimdhënësit e pensionuar

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) për nder të Ditës së Mësuesit ka organizuar sot një takim me mësimdhënësit pensionistë.

Në këtë manifestim morën pjesë edhe përfaqësues nga Lugina e Preshevës, të cilët shtruan nevojën e domosdoshme për bashkëpunim të ndërsjellët me Kosovën, për të arriturat e mëtejme të vendit dhe gjithë shqiptarëve.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se muaji mars për shqiptarët shënon rrugëtimin drejt dritës dhe kundër errësirës, ku shqiptarët nëpër dekada me radhë, sakrifikuan dhe luftuan për liri dhe për të mbrojtur gjuhën shqipe.

“Sa herë vjen marsi, njeriu spontanisht nisë e i thotë vargjet e këngës ‘sërish vjen marsi’ dhe me dhembje kujton ngjarjet që kanë ndodhur në këtë muaj, nëpër vite e dekada. Marsi shënoi nisjen e rrugëtimit të popullit për shkëputje nga robëria, marsi shënoi aktin më sublim të luftës dhe sakrificës të familjes Jashari. Marsi shënoi rrugëtimin drejt dritës e kundër errësirës”, tha ai.

Në emër të Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismail Kurteshi tha se vetëm me angazhimin e madh të mësimdhënësve, Kosova radhitet në mesin e vendeve më të përparuara për nga arsimimi.

“Mbi shpatullat tuaja rëndoi edhe shtypja, presioni dhe represioni i pushtuesit serb. Por, ju me vendosmërinë tuaj, duke kujtuar thënien e Naimit, nuk hoqët dorë nga misioni i shenjtë i arsimit, dhe arritët që ta dështoni projektin më fatkeq dhe kobsjellës të Serbisë, që ishte mbyllja e shkollave shqipe. Të gjithë ju që tani jeni në moshën e pensionit, ju dëshiroj shëndet, vite të qeta e të lumtura pranë familjeve, por po ashtu kërkoj nga ju që edhe gjatë viteve të pensionit të jeni aktiv”, tha Kurteshi.

I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe deputeti i Luginës së Preshevës, Fatmir Hasani.

Ai duke kujtuat fatin e Luginës së Preshevës, tha se bashkëpunimi i ndërsjellët ka rëndësi jetike për gjithë popullin.

“Ne, e dini edhe vet, që kemi jetuar shumë vite së bashku me një shtet. Tash, Lugina ka mbetur jashtë dhe me shumë halle. Ne edhe me sy, edhe me vesh jemi të drejtuar kah Kosova, kah vëllezërit tanë. Dhe, me dëshirë shumë të madhe i përcjellim zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri. Prandaj, bashkëpunimi jonë në të gjitha fushat, kishte me qenë shumë i rëndësishëm dhe me shumë domethënie për të arriturat e mëtejme që janë të rëndësishme për Kosovën dhe gjithë shqiptarinë”, tha ai.

Ditën e mësuesit e uroi edhe Agim Hasani nga Drejtoria e Arsimit në Bujanoc. Ai tha se shqiptarët e Luginës kanë ndarë dhembjen dhe hallet gjithmonë së bashku.

“Të jeni të bindur se ende atje vjen marsi. Por, vjen marsi i trishtueshëm. Ne ende ballafaqohemi me shumë probleme, jo vetëm në arsim, por në të gjitha fushat. Jam mirënjohës me kryetarin e SBAShK-ut, që gjithmonë na thërret. Por, kjo thirrja e SBAShK-ut ëhstë për të krijuar rrugë, për të krijuar një urë në mes Kosovës dhe Luginës. Shresoj që kjo rrugë dhe urë të vazhdojë, sepse ne kemi ende nevojë për ndihmën tuaj”, u shpreh ai.

Ditën e mësuesit ka uruar edhe kryetari i BSPK-s, Avni Ajdini, me ç’rast theksoi se kontributi i mësimdhënësit është i pazëvendësueshëm.

Ai uroi edhe mësimdhënësit pensionistë, duke thënë se këta të fundit i dhanë dritë arsimit.

Në fund, me një pikë artistike para të pranishmëve u paraqit Fadil Grabovci, i cili përmendi pensionet e ulëta për mësimdhënësit, porse theksoi edhe rritjen e pagave për mësuesit, gjë që erdhi pas grevave të SBAShK-ut.

Krejt në fund u ndanë mirënjohje për përfaqësues të secilës komunë dhe të universiteteve./kp/Telegrafi/

Exit mobile version