Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), në mbledhjen e mbajtur sot me Këshillin Drejtues dhe kryetarët e niveleve komunale si dhe të universiteteve, ka marrë vendim për kompensimin e orëve të humbura për një javë në fund të vitit shkollor.
Mirëpo ky vendim do të zbatohet në rast se ju ndërrohet koeficienti i mësimdhënësve të ciklit 1 deri në 5, ose në të kundërtën nuk do të ketë kompensim të orëve.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala.
“Në takim është marrë vendim që në momentin kurë Kuvendi i Kosovës miraton kërkesën e SBASHK-ut për ndryshim të koeficientit të mësimdhënësve të ciklit fillor këtu hyjnë edhe sekretarët, pedagogët dhe psikologët që të barazohen me koeficientit e mësimdhënësve të ciklit të mesëm të ulët atëherë orët e humbura do të kompensohen një javë në fund të vitit shkollor 2019”, ka thënë Shala.
Ajo ka thënë se në rast se nuk bëhet plotësim ndryshimi i ligjit të pagave me këtë kërkesë të SBASHK-ut, atëherë nuk do të zëvendësohen asnjë nga orët e humbura gjatë grevës.
Shumica e anëtarëve të SBASHK-ut kanë votuar që orët të kompensohet vetëm një javë. /Telegrafi/