Site icon Telegrafi

SBAShK-u kundër testit për mësimdhënës

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, në takimin e jashtëzakonshëm ka kundërshtuar testin për mësimdhënës, të paraparë nga Ministria e Arsimit, për muajin tetor, duke thënë se ky test është denigrim i personalitetit dhe mosnjohje e dijës së të mësimdhënësve.

Ata madje kanë paralajmëruar edhe greva në rast se një test i tillë tenton të mbahet.

Kryetari i Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jashari, është shprehur kundër testit me shkrim.

“Ne jemi që të vlerësohet përformanca e mësimdhënësve përmes hospitimeve dhe analizave të tjera, por kryesia e SBAShKU-t është kundër idesë për t’i testuar me shkrim mësimdhënësit ngase kjo konsiderohet si degradim i punës së tyre, degradim i dijës së arritur gjatë studimeve”.

“Po ashtu Ministria nuk ka kompetencë të vlerësojë dijen e mësimdhënësve sepse këtë dije e kanë vlerësuar profesorë të universiteteve gjatë gjithë viteve të shërbimit dhe studimit të mësimdhënësve”, tha Jashari.

Jashari gjithashtu tha se mësimdhënësit e Kosovës nuk kanë frikë nga testi por e konsiderojnë si një denigrim të personalitetit dhe diplomave të tyre.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari tha se gjatë takimit të mbajtur me ministrin Arsim Bajrami dhe me kabinetin e tij, kanë diskutuar edhe për universitetet dhe sfidat e administratës publike.

Exit mobile version