Telegrafi

SBASHK-u konfirmon marrëveshjen, mësimi fillon të hënën

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), Rrahman Jasharaj në një konferencë për media me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj ka konfirmuar arritjen e një marrëveshjeje dhe fillimin e mësimit të hënën.

Jasharaj tha se marrëveshja e re ofron shumë afër kërkesave të tyre.

“Ishte kënaqësi, dje filluam një raund të ri të diskutimeve. Falënderoj ministrin Hamza. Dhe sot u takuam për arritjen e një marrëveshjeje. Marrëveshja e re është një lëvizje e re dhe na ofron shumë afër kërkesave tona”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se është i lumtur që nxënësit nga e hëna do t’u kthehen shkollave.

Lexo po ashtu Ndërpritet greva e SBASHK-ut, mësimi fillon të hënën

“Gjithë punëtorëve në sistemin e arsimit u janë rritur pagat dhe ashtu siç kemi premtuar me kryeministrin do të mbajmë premtimet që të jemi afër tyre, e po ashtu edhe për sektorët tjerë siç janë policia, shëndetësia, artistët etj”, tha Veseli.

Ai tha se të shtunën në Kuvend do ta miratojnë Projektligjin për pagat që do të mundësojë rritjen e pagave për mbi 70 mijë punonjës.

I pyetur se a do të jenë të bashkuar si për ndërprerjen e grevës edhe për heqjen taksës pas arritjes së kësaj marrëveshje Veseli tha “edhe për çështjen e taksës edhe të dialogut do të merrni përgjigje së bashku me kryeministrin, kështu siç jemi bashkë”.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha se janë shumë pak kohë para votimit të ligjit për paga, një ligj që e kanë pritur dhe që nuk e kanë pasur, pra pas 20 vitesh.

“Unë jam i vetëdijshëm që përgatitja për këtë ligj dhe puna që ka ndodhur rreth këtij ligji ka shqetësuar të gjitha kategoritë që paguhen nga buxheti. Ne nuk i kemi keqkuptuar asnjëherë shqetësimet e tyre por i kemi mirëpritur ato shqetësime”, tha Haradinaj, pas takimit që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës.

“Është  e ditur që qeveria e vendit është e interesuar t’iu japë përgjigje të gjitha kategorive e që paguhen prej buxhetit.  I kemi edhe sfidat por që ju siguroj se do të respektohet dinjiteti i të gjithëve në Kosovë”, tha ai. /Telegrafi/