Telegrafi

SBASHK-u jep paralajmërimin e fundit për Qëndron Kastratin, pak para fillimit të vitit të ri shkollor

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës ka paralajmëruar grevë dy orësh të martën në të gjitha shkollat e Kamenicës, nëse kryetari i kësaj komune Qendron Kastrati nuk heq dorë nga mbyllja e 19 shkollave në emër të reformës në arsim.

Gjatë takimit të kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj me kryesinë qendrore dhe kryetarët e Kuvendeve të Arsimit Fillor e të Mesëm nga të gjitha komunat e Kosovës, po ashtu u paralajmërua se nëse edhe pas grevës të së martës,  kryetari Kastrati nuk heq dorë, atëherë do të nisë greva e përgjithshme në kohë të pacaktuar.

“Të martën në të gjitha shkollat e Kamenicës do të ketë grevë dyorëshe si paralajmërim i fundit dhe nëse për një javë kryetari Kastrati nuk tërheq vendimin e tij atëherë do të niset me grevë të përgjithshme e në kohë të pacaktuar. Solidaritetin dhe mbështetjen e tyre ndaj këtij veprimi punëtorët arsimor të Kosovës do ta dëshmojnë me një grevë njëorëshe në tërë sistemin arsimor. Nëse as pas kësaj nuk ka tërheqje të vendimit për mbyllje shkollash nga ana e Kastratit, atëherë do të mblidhet Këshilli Drejtues i SBASHK-ut për të marrë vendim lidhur me veprimet tjera sindikale në tërë Kosovën”, thuhet në njoftimin e bërë për media nga SBASHK-u, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Paralajmërimi i SBASHK-ut për greva në shtator mund të ketë prapavijë politike?

SBASHK kërkon që nisja e vitit të ri shkollor në Kamenicë të fillojë pa probleme, dhe që mësuesit e nxënësit të fillojnë punën arsimore-edukative secili në shkollën e tij dhe të mos ketë shkolla të mbyllura.

Ndryshe, SBASHK kërkon nga MASHT-i të reagojë ndaj idesë së kryetarit Kastrati dhe çështja e zvogëlimit të numrit të nxënësve të diskutohet pas formimit të institucioneve qendrore në zgjedhjet e 6 tetorit./Telegrafi/