Site icon Telegrafi

​SBASHK-u jep arsyet pse e hëna duhet të jetë ditë pushimi për mësimdhënësit e nxënësit

Përkundër vendimet të Qeverisë së Kosovës, që e hëna të jetë ditë pune, Sindikata e Arsimit po vazhdon të bëjë thirrje që personeli arsimor të mos dal në punë.

Këtë e bazojnë në kalendarin për vitin shkollor.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj ka thënë se bazuar në kalendarin e vitit shkollor, dita e hëne do të jetë pushim dedikuar festës së 28 Nëntorit.

Ndërsa, sa i përket deklaratës së kryeministrit Avdullah Hoti se duhet të solidarizohemi me mantel bardhët, Jasharaj ka thënë se mësimdhënësit janë solidarizuar deri në shtator që të zhvillohet sa më mirë procesi mësimor.

“SBASHK-u duke u bazuar në kalendarin për vitin shkollor që jemi, ku thuhet qartë që 28 nëntori është ditën e shtunë por e hëna është ditë pushimi dedikuar kësaj feste të madhe, i është përgjigjur anëtarësisë, duke theksuar se bazuar në këtë kalendar, e hëna është pushim dhe kështu duhet të jetë. Sa i përket deklaratës së kryeministrit se duhet të punohet të hënën për t’u solidarizuar me mantel bardhët. Po e deklaroj se mësimdhënësit e Republikës së Kosovës janë solidarizuar me mantel bardhët dhe policinë dhe jemi solidarizuar ngase kategorik kemi qenë dhe pas përgatitje shtesë, deri më 14 shtator, mësimdhënësit e Kosovës kanë shprehur vullnetin të punohet në institucionet e Kosovës, duke e ditur vlerën e madhe që kanë shkollat për të zhvilluar sa më mirë procesin mësimorë”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka thënë se procesi mësimor nuk dëmtohet nga ky pushim, pasi që edhe mësimdhënësit nuk kanë planifikuar as një njësi mësimore për ta zhvilluar të hënën.

Jasharaj ka shtuar se nuk është bërë asgjë në kundërshtim të kalendarit të MASHT-it dhe e hëna do të jetë pushim për shkollat fillore, të mesme dhe universitetet.

“Procesi mësimor dhe kalendari mësimor nuk dëmtohen, por mësimdhënësit, nxënësit e meritojnë këtë pushim për hirë të festës së nëntorit dhe për hirë të asaj që është në kalendarin e vitit shkollorë, dhe të martën mësimdhënësit e Kosovës, bashkë me nxënësit e tyre do të rifillojnë angazhimet në mënyrë që edhe për kundër kushteve që janë nga COVID-19, ta përfundojnë sa më mirë që mundemi gjysmë vjetorin e parë, për t’u përgatitur pastaj për gjysmë vjetorin e dytë. Pra, asgjë nuk kemi bërë në kundërshtim me dokumentet që ekzistojnë, respektojnë kalendarin e MASHT-it dhe e hëna duhet të jetë ditë pushimi për sistemin arsimor, për shkollat fillore, të mesme dhe universitetet”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka thënë se sindikata nuk merret me institucionet, por të gjithë janë të obliguar që ta respektojnë statutin dhe vullnetin e mësimdhënësve.

“Mësimdhënësit e Kosovës i besojnë SBASHK-ut, e konsiderojnë si sindikatë të tyre, janë unik dhe ne nuk merremi me çka thonë institucionet, ato kryejnë punën e tyre, ndërsa unë si kryetar, stafi qendror, kryetaret e niveleve komunale, kryetarët e niveleve të shkollave janë të obliguar edhe me statut që ta respektojnë zërin dhe vullnetin e mësimdhënësve të Kosovës”, ka thënë Jasharaj.

E sa i përket atyre mësimdhënësve që nuk do ta respektojnë vendimin e SBASHK-ut, ai ka thënë se është në vullnetin e tyre që të dalin apo jo në punë. /KP/

Exit mobile version