Ashtu siç nisi ky vit me greva dhe parregullsi në arsimin parauniversitar në Kosovë, ashtu edhe po përfundon ky vit shkollor.
Ministria e Arsimit nuk ka dhënë ndonjë datë zyrtare se kur përfundon procesi mësimor për këtë vit, teksa Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës (SBASHK) ka bërë me dije se ky vit shkollor ka përfunduar më 21 qershor.
E prindërit nuk kanë asnjë informatë zyrtare.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se në shumicën e shkollave në nivel vendi procesi mësimor ka përfunduar të premten, më 21 qershor.
“Duke u bazuar ne vendimet e këshillit drejtues të SBASHK-ut që është organi më i lartë në mes dy kongreseve dhe që është zë i mësimdhënësve të Republikës së Kosovës viti shkollor 2018-2019 ka përfunduar me 21 qershor. Ne kemi përcjellë situatën edhe të premten, po edhe sot kemi komunikuar me kryetarët që i kemi në nivelet komunale dhe raportet flasin se pjesa dërmues e institucioneve të arsimit në Kosovë e kanë e kanë respektua zërin e vet gjegjësit vendimin e këshillit drejtues dhe pra në shumicën e shkollave të Kosovës me 21 qershor të këtij viti”, tha ai, për EkonomiaOnline.
Jasharaj thotë se për këtë vendim është njoftuar edhe MASHT-i dhe vlen për të gjithë komunat e vendit.
“Vendimi ish dashtë të vlejë në nivel vendi. As unë si kryetar as kryesia këtu nuk ka sjellë vendime. Ky vendim është kërkesë e mësimdhënësve të Kosovës madje edhe mediat edhe opinioni e di se edhe gjatë grevës këshilli drejtues duke përcjell mendimin e mësimdhënësve grevist kishte thënë se nuk do të ketë kompensim të orëve”.
E gjatë ditës në adresë të EkonomiaOnline kanë mbërritur disa mesazhe nga mësimdhënës e këshilli i prindërve.
Përderisa njëri mësimdhënës njofton prindërit se procesi mësimor ka përfunduar të premten, në tjetrin mesazh prindërit kërkojnë sqarim ngase nuk e din se kur përfundon procesi mësimor.
“Siç jeni ne dijeni mësimi ka përfundua te premten për këtë vit shkollor, prandaj Ju informoi se komunikimin e suksesit dhe shpërndarjen e librezave do ta bëjmë të (enjten) 27.06.2019 nga ora 9:30 deri ne ora 11:30. Ju faleminderit për mirëkuptim! Nxënësve ju uroj pushime te rehatshme me shëndet dhe suksese te vazhdueshme!”
“Përshëndetje. Ju lutem nëse dikush nga ju apo përfaqësuesi i prindërve të klasës mund te na njoftoj, a ka mësim ketë javë a po jo? Për klasën e tretë jemi të njoftuar nga përfaqësuesi se të premten nga mbaruar mësimi dhe librezat merren ketë të premte. Ketë jave në klasën tonë e di qe kane mbet të kenë teste në lëndë të caktuara. Në shkollë isha, por nuk u informova”.
E në një dokument të siguruar nga EO, duke iu referuar MASHT-it, thuhet se mësimi përfundon më 28 qershor.