Telegrafi

SBASHK- Qeverisë: Përmbushni obligimet ose grevat

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ua ka rikujtuar Qeverisë së Kosovës se ende nuk i ka përmbushur kërkesat që dalin nga kontrata kolektive. Drejtuesit e kësaj sindikate paralajmërojnë se nuk ka përfunduar çdo gjë me 0.5 përqindëshin për çdo vit të shërbimit dhe për këtë ata do të angazhohen për të realizuar të gjitha kërkesat legjitime nga Kontrata Kolektive.

Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, sipas tyre, ata prapë do të përballen me veprime sindikale.
“Me kohë u drejtohemi që të angazhohen dhe të veprojnë pozitivisht në të kundërtën mos të harrojnë se SBASHK-u grevën nuk e ka mbyllur, por e ka pezulluar dhe ajo do të rikthehet në gjithë arsimin e Kosovës me të filluar të vitit të ri shkollor nëse institucionet e pushtetit lokal e qendror nuk reflektojnë”, thuhet në një komunikatë të SBASHK-ut.

Kërkesat tjera të cilat po i kërkon SBASHK-u, të cilat kanë mbetur ende të papërmbushura janë: zgjidhja e çështjes së udhëtimit të mësimdhënësve udhëtarë, shujta dhe dhënia nga tri paga e mësimdhënësve me rastin e pensionimit të tyre. /Telegrafi/