Kryeministri Ramush Haradinaj, ka takuar sonte drejtuesit e Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
Pas takimit, Haradinaj, ka mbajtur një konferencë për media me ç’rast ka njoftuar se ka bërë ofertë te SBASHK-u për të ndërprerë grevën duke u ofruar rritjen e pagave mësimdhënësve.
Përkundër ofertës së Haradinajt për rritje të buxhetit 20 milionë euro, SBASHK-u, ka konfirmuar se do të vazhdojë me grevën.
Kjo, pasi sipas sindikalistëve, oferta e Qeverisë nënkupton ngritje të pagave vetëm për 10 për qind, derisa ata insistojnë që kjo ngritje të arrijë në 30 për qind të koeficienteve të punëtorëve të arsimit.
Menaxheri për financa në SBASHK, Ymer Ymeri, ka thënë për Telegrfin se oferta është e papranueshme, ndërsa greva do të vazhdojë.
Ndërkaq, Haradinaj ka thënë se ekziston një rrezik që Këshilli Grevist të presë ofertë të re, por sipas tij, “kjo s’mund të ndodhë”.
“Nëse fillojnë me mësim nesër, këtë e fitojnë. Është një kontratë mes të gjithë pjesëmarrësve dhe mësimdhënësve”, ka thënë Haradinaj./Telegrafi