Site icon Telegrafi

SBASHK i ankohet kryetarit të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës: Qeveria po vazhdon përpjekjet për shuarjen e zërit sindikal

Drejtuesit e SBASHK-ut kanë takuar në Tiranë, kryetarin e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, Larry Flanagan, të cilin e kanë informuar për aktualitetin në arsimin e Kosovës dhe për angazhimet në shërbim të anëtarësisë.

Sipas një njoftimi nga SBASHK, thuhet se Flanagan e informuan edhe për sfidat e shumta të kohës “duke u fokusuar te qasja e gabueshme e Qeverisë ndaj sindikatave dhe te mungesa e dialogut me fajin e institucioneve qendrore të Kosovës”.

“Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë kërkuar nga kryetari Flanagan që të ngrit në organet e Unionit, që përfaqëson 11 milionë anëtarë, por edhe në institucione të tjera shqetësimin se Qeveria e Kosovës duke tërhequr vazhdimisht vëmendjen e opinionit me rrjedhën e dialogut me Serbinë,  po vazhdon përpjekjet për shuarjen e zërit sindikal duke mos ndalur goditjet ndaj sindikatave dhe duke mohuar dialogun me to”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim theksohet se Flanagan ka përgëzuar SBASHK-un për angazhimet dhe është shprehur se ka shumë informacione për angazhimet dhe sfidat,  informacione këto të cilat i ka marrë nga drejtorja e përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës,  Suzan Flocken  dhe se  SBASHK ka pasur dhe ka mbështetjen e fuqishme të ETUCE-s në gjithë angazhimet për mbrojtjen e të drejtave të anëtarësisë dhe realizimit të kërkesave të tyre legjitime.

“Flanagan ka shprehur shqetësimin e tij  dhe të Unionit që përfaqëson për qasjen e gabuar të Qeverisë së Kosovës  ndaj sindikatave dhe dialogut dhe ka siguruar përfaqësuesit e SBASHK-ut se këto shqetësime do t’i prezantojë edhe në takimet e organeve të ETUCE-s në Bruksel, por edhe në institucionet ndërkombëtare që  merren me dialogun  social”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

 

Exit mobile version