Satrap! Fjalë kjo që sot, në shqipe, nuk përdoret fare, as në të folur e as në të shkruar. Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (Tiranë, 1980), gjejmë këtë përkufizim të saj: 1. hist. Sundimtar me pushtet të pakufizuar i një krahine në Perandorinë e vjetër.
Persiane dhe në Indi. 2. fig. Sundimtar ose drejtues i egër e despotik që merr nëpër këmbë çdo të drejtë të njerëzve apo të vartësve; ai që shtyp dhe shfrytëzon të tjerët pa mëshirë. 3. Përd. mb. sipas kuptimit 2 të emrit. Mbreti satrap.”
Në kujtesën time të kohës së diktaturës, ende ruaj njërin nga togfjalëshit më të përdorur nga propaganda zyrtare nën zgjedhën e diktaturës hoxhiste, konkretisht shprehjen “satrapi Zog”, çka e vërteton tërthorazi edhe zgjedhja e shembullit nga fjalori i sapopërmendur i asaj kohe, pikërisht “Mbreti satrap”. Vetë Enver Hoxha, në artikujt, fjalimet dhe veprat e tij, e ka përmendur herë pas here togfjalëshin famëkeq. Por, me shembjen krejt të palavdishme, ndonëse shumë të vonuar, të regjimit të tij, fjala “satrap” u zhduk njëherë e përgjithmonë nga fjalori i gjallë i gjuhës shqipe dhe sot, bashkë me përkufizimet e saj, ka mbetur thjesht e regjistruar në “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), identike me atë të Fjalorit të vitit 1980, por pa shembullin Mbreti satrap. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe: fakte e dëshmi të shumta, me gojë e me shkrim, dëshmojnë sot se Mbreti Zog ishte burrë i vërtetë shteti, këtë e besoj edhe unë, pavarësisht bindjeve të mia thellësisht republikane.
Duke e rilexuar sot këtë përkufizim, njeriu i pajisur me një minimum kujtese historike dhe me një minimum logjike, pra, pa qenë nevoja të ketë një koeficient intelektual të barabartë me atë të Ajnshtajnit, e kupton fare mirë që kuptimi 2 i fjalës “satrap” i përshtatet fare mirë Enver Hoxhës: A nuk shkëlqeu ky si sundimtar dhe drejtues i egër e despotik? A nuk i mori ai nëpër këmbë të drejtat themelore të njerëzve a të vartësve të tij, duke filluar nga e drejta për jetën? A nuk i shtypi dhe i shfrytëzoi ai shqiptarët e tjerë pa mëshirë për gati gjysmë shekulli? Megjithatë, askush sot nuk e quan atë satrap, askush nuk thotë, as shkruan “satrapi Enver”, çka ai do ta meritonte plotësisht edhe pas vdekjes. Rrjedhimisht dhe në njëfarë mënyre, fjala “satrap” në gjuhën tonë ka mbetur në fjalor e tharë si mumie, krejtësisht jetime.
Ah, i kërkoj ndjesë lexuesit tim të vëmendshëm dhe të paanshëm që sapo përmenda fjalën “jetime”. Për hir të së vërtetës, më duhet të pranoj që fjala “satrap”, kuptimin 2 të saj, ende nuk mund të konsiderohet si jetime, sepse historia dëshmon që të gjithë drejtuesit e një shteti, qoftë edhe më demokratiku në botë, mund të kenë, herët e vonë, ndonjë prirje prej satrapi, për shkak të ekstazës gati erotike, gati të papërballueshme që shkakton magjia e pushtetit kryesisht në vendet mesdhetare, veçanërisht në Ballkan dhe sidomos në Shqipëri.
Për fat të mirë, që nga koha e varrosjes së enverizmit në Shqipëri, fjala “satrap” nuk i është bashkëngjitur, siç e përmenda më lart, as emrit të Enverit (ndonëse ky e meriton një epitet të tillë), as emrit të zotërinjve Nano dhe Berisha, pavarësisht gabimeve të këtyre dy burrave shteti. Nuk i është bashkëngjitur as emrit të Kryeministrit Rama dhe uroj të mos i ndodhë kurrë. Gjithsesi, këtë do ta tregojë e ardhmja. Personalisht, nuk i uroj asnjërit prej sundimtarëve, më falni, prej udhëheqësve, më falni edhe një herë, prej drejtuesve tanë që emri t’i paraprihet nga fjala “satrap”, si p.sh. “satrap Hasani” apo “satrap Hyseni”, sidomos kur mendoj që kjo fjalë, e ndarë në rrokje, rilind e bëhet edhe më befasuese, si p.sh. “Sa trap Hasani!” ose “Sa trap Hyseni!”.
(Marrë nga: Panorama)