Ish-shefi i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, Sasho Mijalkov, mëngjesin e sotëm në orën 09:32 ka dalë nga burgu i Strugës, ku po vuante dënimin me burg për rastin “Perandoria”. Këtë për AIM e konfirmoi drejtori i institucionit Valon Qura.
Lirimi i Mijallkovit vjen pas respektimit të ankesës së tij nga Gjykata e Apelit në Shkup dhe vendimit të marrë, se më 23 maj do të lirohet nga vuajtja e dënimit me burg, me kusht që deri më 25 prill 2025, të mos kryejë vepër të re penale.
“Personi ishte një i burgosur shembullor, ai ndihmonte të dënuarit e tjerë në burg. Ai ishte i punësuar si shofer dhe e bënte punën e tij me ndërgjegje. Ai ka shfrytëzuar pushimet vjetore dhe fundjavat e lira për të dalë në qytet, si të dënuarit tjerë”, tha Qura.
Ai nuk ka vërejtje për Mijallkovin për periudhën e kaluar në burgun e Strugës.
Ish-kreu i DSK-së, Mijallkov, u dënua me tre vjet burgim dhe konfiskim të pasurisë për rastin “Perandoria”. Ai akuzohej për veprat “bashkim kriminal” dhe “fshehje të paligjshme të pasurisë”. Ai e ka vuajtur dënimin me burg në vend të “Idrizovës” në burgun e hapur në Strugë, pasi ka ndërruar adresën e banimit nga Shkupi në Ohër./Telegrafi/