Këshilli Gjyqësor sot në një seancë të jashtëzakonshme me tetë vota “pro” dhe katër kundër zgjodhi për kryetar të ri gjyqtarin Sashko Georgiev, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Seancën e drejtoi zv. kryetari Selim Ademi, i cili para votimit theksoi se Kryetari i Këshillit Gjyqësor zgjidhet me tetë vota nga anëtarët me të drejtë vote.
Në seancë nuk mori pjesë kryetarja e mëparshme e këshillit, Vesna Dameva.
Para votimit, Georgiev tha se ndjehet krenar për propozimin që i është bërë dhe se ai e pranon propozimin vetëm nëse të gjithë e mbështesin.
“Pres vetëm që të gjithë së bashku të japim kontribut për të rikthyer besimin, mbi të gjitha, mes nesh dhe qytetarëve. Prandaj ju ftoj, nëse ky propozim del i sinqertë, këtë sfidë do ta pranoj vetëm si të bashkuar. Ju ftoj të gjithëve që të kontribuoni, nëse qëndroni prapa meje e pranoj propozimin”, tha Georgiev.
Vesna Dameva u shkarkua në mënyrë të papritur të mërkurën e kaluar në një seancë publike të Këshillit Gjyqësor, ndërsa shkak i drejtpërdrejtë i shkarkimit të Damevës ishte refuzimi i saj për të futur një pikë të re në rendin e ditës dhe gjoja fshehja e letrës nga ambasadorja amerikane Angela Aggeler. Shkarkimi i saj u iniciua nga zv. kryetari, Selim Ademi, i cili pas disa orësh tensionesh dhe debatesh mori mbështetjen e 7 prej 13 anëtarëve të Këshillit për ta shkarkuar Damevën nga kryesia./Telegrafi/