Sindikata e Arsimit dhe Shkencës (SASHK) akoma nuk ka marrë ftesë nga Qeveria për të diskutuar bashkërisht rritjen e pagave në fushën e arsimit dhe mbrojtjen e fëmijëve, pavarësisht se një takim i tillë u paralajmëruar javën që shkoi.
Nga Sindikata thonë se janë të revoltuar nga mos përfillja e kërkesave, duke kujtuar se më 11 prill është e mundur të nisin grevë të përgjithshme nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje.
SASHK-u kërkon që rritja të reflektohet që në rrogën e marsit të paktën për 18.5%, pa humbur asnjë muaj më tepër.
Ditë më parë ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri paralajmëroi një takim të zgjeruar mes përfaqësuesve të Qeverisë dhe Sindikatës së Arsimit lidhur me kërkesën për rritjen e pagave në arsim dhe kopshte, por pa saktësuar ditën.
Përveç SASHK-ut, edhe Sindikata e Pavarur në Arsim dhe Shkencë kërkon rritjen e pagave dhe zbatimin e Marrëveshjes Kolektive.