Telegrafi

Saranda, më e mbrojtur nga kriza

Një numër i konsiderueshëm blerësish të huaj kanë zgjedhur Sarandën për shtëpinë e tyre të pushimeve nën diell, pasi qyteti jugor rezulton sot më lehtësisht i arritshëm nga pronarët e huaj se shumë pjesë të territorit të vendit.

Të pasurit e Europës Veriore dhe Perëndimore, e kanë të zakonshme tashmë të kalojnë pushime në Mesdhe për të shijuar diellin e bollshëm, ndërsa shumë prej tyre zgjedhin të blejnë shtëpi në vende si Kroacia, Mali i Zi, Turqia, Spanja apo ishujt Kanaries.

Disa vite më parë, edhe Shqipëria tërhoqi vëmendjen e blerësve të huaj, kryesisht për shkak të kostos së ulët të shtëpive në krahasim me destinacionet e tjera mesdhetare. Blerësit e apartamenteve që janë ndërtuar në Sarandë, përdorin zakonisht aeroportin e Korfuzit dhe linjën e tragetit Sarandë-Korfuz. Destinacione të tjera turistike si Vlora, janë më vështirë për t‘u arritur nga blerësit që jetojnë në Europën Perëndimore.

Saranda duket se po përfiton edhe nga çmimet e lira të fluturimeve ajrore drejt Korfuzit, të cilat janë dy-tre herë më pak të kushtueshme sesa fluturimet drejt Tiranës. Të huajt ndaluan tërësisht blerjet e apartamenteve në tetor të vitit të kaluar, por shenja rigjallërimi u dukën në shkurt.