Basketbollistet e Kosovës A po vazhdojnë përgatitjet për garat ndërkombëtare. Kosova A te femrat për herë të parë do të garojë në arenën ndërkombëtare, ku do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla. Kampionati mbahet nga 20 deri më 25 korrik në Qipro.
Qendra pejane, Saranda Daci ka folur për rëndësinë që ka formimi i Përfaqësueses A dhe pjesëmarrja në garat evropiane.
“Jemi shumë të lumtura që jemi pjesë e Kosovës. Kemi një ekip të kombinuar me lojtare me përvojë, por edhe të reja, që të premtojnë shumë. Për shumë lojtare është një ëndërr e realizuar, sepse nuk kemi pasur mundësinë të garojmë më herët, pasi Kosova nuk ishte e pranuar. Për ne, është nder dhe krenari”, ka thënë Daci për faqen zyrtare të FBK-së.
Ajo foli edhe për rrjedhën e përgatitjeve. “Jemi duke u stërvitur maksimalisht dhe kemi zhvilluar një miqësore me Shqipërinë U-20. Shpresoj se gjithçka do të shkojë sipas planit deri në fund”, shprehet tutje 28-vjeçarja.
Kosova është në grup me Qipron dhe Luksemburgun. “Ne shpresojmë në paraqitje të mira, sepse është hera e parë që luajmë në një ngjarje ndërkombëtare. Do të mundohemi të japim më të mirën tonë, pasi e dimë rëndësinë e pjesëmarrjes”, deklaroi Saranda Daci.