Një film i ri për luftën në Bosnjë po bën bujë, pasi prek për herë të parë diçka të pathënë mbi rrethimin e Sarajevës, aty prej nga u zhvillua një prej dramave të rënda të luftës së viteve 1992-’95.
Dokumentari i fundit i regjisorit slloven Miran Zupanic tregon një histori të të huajve të pasur që paguanin për të qëlluar mbi njerëzit në Sarajevë, gjatë rrethimit në kohën e luftës, por veteranët serbë të luftës këmbëngulin se filmi bazohet në një gënjeshtër.
“Sarajevo Safari” është një histori tronditëse, ndërsa historia bazohet në dëshminë e një ish-oficeri të paidentifikuar të inteligjencës, i cili në atë kohë punonte si agjent për “një agjenci të rëndësishme amerikane”, tregon regjisori Zupanic.
Në kushte anonimiteti, ish-agjenti foli për të huajt e pasur që paguanin për të vizituar snajperët e Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe qëllonin mbi njerëzit në kryeqytetin Sarajevë gjatë luftës së viteve 1992-95, kur qyteti ishte nën rrethim.
“Isha në Gërbavicë, lagja e Sarajevës, ku pashë se si për shuma të caktuara parash, të huajt hynin për të qëlluar mbi qytetarët e rrethuar të Sarajevës”, thotë ish-agjenti në film.
Reagimet nga serbët e Republika Sërpskës kanë qenë të tërbuara, me kreun e shoqatës së veteranëve serbë të luftës së Bosnjës që i quajti pretendimet e regjisorit “gënjeshtër të shëmtuar”.
“Sarajevo Safari” është dokumentar brutal, por në të njëjtën kohë thellësisht filozofik, që ngre pyetje për natyrën e mendjes njerëzore.
“Sigurisht që më shqetëson që mund të ketë njerëz që paguajnë për t’u lejuar të qëllojnë njerëz të tjerë. Kjo është diçka që është e pamundur të durohet”, tha Zupanic.
Megjithatë, dokumentari nuk shpjegon se sa të huaj iu bashkuan vrasjeve me snajper, sa paguanin apo kush i organizoi vizitat, kryesisht për mungesë provash dhe dëshmitarësh. Regjisori këmbënguli se shumë dëshmitarë të tjerë fillimisht pranuan të bisedonin, por më vonë nuk pranuan të flasin para kamerës.