Telegrafi

Sao Tome dhe Tunizia afër njohjes së Kosovës

Sipas këshilltarit të tij politik, gjatë këtij takimi, Pacolli ka ripërsëritur kërkesën për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke i garantuar atij se vendimi i shpejtë i njohjes së Kosovës, do të përbënte respektim të plotë të vullnetit të qytetarëve kosovarë dhe opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në anën tjetër, kryeministri Trovoada ka garantuar Pacollin se njohja e Kosovës nga Sao Tome është në shqyrtim e sipër dhe gjithçka do të përmbyllet shumë shpejt.

Ndërkaq, të shtunën Pacolli ka takuar në Paris përfaqësues të partisë më të madhe në Tunizi, “Ḥizb al-Nahḍah”, që është edhe partia që ka marrë mandatin për të formuar qeverinë e përkohshme që do ta përgatisë vendin për zgjedhjet e reja, të lira dhe demokratike.

Zëvendëskryeministri pas një bisede u akordua me përfaqësuesit e kësaj partie që në një kohë sa më të shpejtë, pas zgjedhjeve që do të zhvillohen në Tunizi, ky shtet të procedojë me njohjen e republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Një premtim për njohje të menjëhershme pas zgjedhjeve, Pacolli e kishte marrë edhe gjatë vizitës në Tunizi në gusht të këtij viti, nga Rashid al-Ghannushi, lider i kësaj partie.

Pacolli të shtunën ka zhvilluar një takim edhe me pjesëtarë të organizatës së Afrikës Juglindore, të cilëve u ka shtruar kërkesën për njohjen në bllok të Republikës së Kosovës. Në këtë organizatë, bëjnë pjesë shtete të fuqishme si Tanzania, Ruanda, Burundi, Mozambiku, Swaziland, Malaui, Zambia dhe Zimbabve. /Telegrafi/