Telegrafi

Santos zbulon arsyen pse e la Ronaldon në bankën rezervë kundër Zvicrës, pretendon se sulmuesi e dha shembullin si kapiten

Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, ka thënë se ka hequr dorë nga inkuadrimi i Cristiano Ronaldos nga minuta e parë për arsye taktike kundër Zvicrës dhe këmbëngul se ai mbetet një kapiten i madh.

Ronaldos iu desh të shikonte pjesën më të madhe të lojës nga bankina, ndërsa Portugalia ecte drejt një fitore 6-1 ndaj Zvicrës në 1/8-tën e Kupës së Botës.

Santos ka pohuar se vendimi ishte tërësisht taktik, me zëvendësuesin e tij Goncalo Ramos që do të shënonte një het-trik historik, duke konfirmuar zgjedhjen e drejt të trajnerit portugez.

“E kam shpjeguar tashmë situatën rreth mos inkuadrimit të Ronaldos, nuk do ta shpjegoj më. Ata janë lojtarë të ndryshëm. Ishte strategjia e lojës, të gjithë lojtarët janë ndryshe, kam inkuadruar edhe Dalotin, Raphaelin, por edhe Cancelo është një lojtar përrallor. Ishte ajo që mendoja se do të na duhej për këtë ndeshje kundër Zvicrës”, ka thënë fillimisht Santos pas ndeshjes.

“Nuk ka asnjë problem mes Fernando Santos dhe kapitenit të ekipit kombëtar ne kemi qenë miq për shumë vite. Lojtarët marrin vendime. Gjërat nuk ndikojnë tek ne”.

“Unë tashmë e shpjegova, ajo pjesë ishte plotësisht e zgjidhur dhe ai dha një shembull të shkëlqyer të një kapiteni të madh”, përfundoi trajneri portugez.

Ronaldo ishte dukshëm i frustruar në humbjen 2-1 të Portugalisë ndaj Koresë së Jugut dhe dukej sërish i pakënaqur pasi mbërriti në stadiumin Lusail në Katar për ndeshjen e tyre ndaj Zvicrës.

Çështjet e qëndrimit të 37-vjeçarit janë një temë e vazhdueshme bisede, veçanërisht pas largimit jo të mirë të tij nga Manchester United. /Telegrafi/