Momenti që të gjithë tifozët e Real Madridit e kanë pritur me shumë durim tash e sa vite më në fund ka ardhur. Kylian Mbappe, i cili nënshkroi më herët gjatë këtij viti për madrilenët, do të prezantohet zyrtarisht si lojtari më i ri i tyre të martën.
Administrata e klubit madrilen ka njoftuar se prezantimi i lojtarit do të bëhet më datë 16 korrik në atë që duket se do të jetë një event i jashtëzakonshëm në ‘Santiago Bernabeu’.
Përgatitjet janë duke u kryer
Siç është zbuluar nga mediat spanjolle, përgatitjet në ‘Santiago Bernabueu’ për prezantimin e fenomenit francez janë duke u kryer.
Ato kanë nisur 48 orë para se të bëhej e ditur data zyrtare e prezantimit të Mbappes, diçka e natyrshme duke marrë parasysh madhësinë e këtij eventi dhe befasitë që janë planifikuar.
Florentino Perez së bashku me ekipin e tij janë duke u përgatitur që ta bëjnë prezantimin e Mbappes si njërin prej prezantimeve më të paharrueshme ndonjëherë në futboll.
Ky event do të mbahet nën dyert e mbyllura me efekte special rreth fushës që do të shoqërohen me video në tabelat që tashmë janë risi në stadiumin e Real Madridit.
Një skenë do të ndërtohet aty ku lojtari do t’i bashkohet presidentit Perez për të vazhduar pastaj me formalitetet tjera.
Stadiumi do të jetë i tëri i mbushur
Real Madridi hodhi në treg biletat për këtë ngjarje speciale në fillim të kësaj jave dhe ato u shitën me një shpejtësi marramendëse për shkak të kërkesave të larta.
Në më pak se 2 orë, të gjitha biletat në dispozicion për këtë event u shitën, duke përfshirë edhe ulëset VIP që kanë çmime shumë të larta.
Me shitjet e fanellave të Mbappes tashmë që do të arrijnë shifra astronomike, eventi i së martës do të jetë i veçantë, pasi mbi 80 mijë tifozë do të jenë prezent për ta bërë atmosferën sa më të zhurmshme./Telegrafi/