Zyrtarët dhe ligjvënësit rusë kritikuan ashpër legjislacionin e ri të Shteteve të Bashkuara, që parasheh sanksione të reja kundër Moskës dhe e bën më të vështirë për presidentin amerikan, Donald Trump, t’i lehtësojë ose t’i heqë masat ndëshkuese.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se votimi në Dhomën e Përfaqësuesve është një “hap përpara drejt shkatërrimit të perspektivave për normalizimin e marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Moskës”.
Ngjashëm u shpreh edhe kryesuesi i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Ulët të Parlamentit të Rusisë, Aleksei Pushkov.
“Kjo është përpjekje për ta vënë Donald Trumpin në situatë të vështirë, për t’i penguar synimet e tij për të normalizuar marrëdhëniet me Rusinë, për t’i neutralizuar marrëveshjet e arritura nga Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin, në Hamburg”, tha Pushkov.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, tha se lajmi për sanksionet është “shumë i keq nga pikëpamja e marrëdhënieve ruso-amerikane dhe perspektivat e zhvillimit të tyre”.
Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim, duke thënë se është i gatshëm të ndërmarrë veprime të shpejta, nëse legjislacioni i ri amerikan minon sigurinë energjetike të BE-së.
Sanksionet mund të prekin projektet e përbashkëta të energjisë Rusi-BE dhe në këtë kuadër hyn Rrjedha Nordike 2 – një tubacion që do të bartte gazin rus përmes Detit Baltik në Evropë, transmeton REL.
Sanksionet e reja synojnë të ndëshkojnë Rusinë për aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe për ndërhyrjen e dyshuar të saj në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.
Ato duhet të miratohen edhe në Senat dhe të nënshkruhen nga presidenti Trump.
Ligji i ri i sanksioneve godet edhe Iranin dhe Korenë e Veriut.