Site icon Telegrafi

Sanksionet e SHBA, Lavrov: Do iu përgjigjemi ashpërsisht

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se vendi i tij “do t’u përgjigjet ashpër veprimeve që na dëmtojnë”, duke iu referuar sanksioneve të reja të urdhëruara nga Shtetet e Bashkuara.

Rusisë i është kërkuar të mbyllë konsullatën e saj në San Francisco, si dhe përfaqësitë diplomatike në Nju Jork dhe Uashington. Lëvizja e fundit e Amerikës erdhi pas reduktimit nga Moska të stafit diplomatik amerikan në Rusi, me plot 755 persona në muajin korrik.

Por, Lavrov fajëson administratën “Obama” për nisjen e mosmarrëveshjeve diplomatike dhjetorin e vitit të kaluar. Ish-presidenti amerikan përjashtoi 35 diplomatë rusë, si dhe mbylli dy përfaqësi ruse, për shkak të aneksimit nga Moska të gadishullit të Krimesë nga Ukraina, por edhe për ndërhyrjen e pretendur ruse në zgjedhjet amerikane.

“Gjithçka nisi ekzaktësisht me qëllimin për të minuar marrëdhëniet ruso-amerikane dhe për të penguar Trumpin të bëjë propozime konstruktive gjatë presidencës së tij”, tha Lavrov. “U bë për t’ia bërë atij sa më të vështirë të ishte e mundshme të implementonte premtimet e tij zgjedhore për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë”.

Lavrov shtoi se Rusia është ende duke konsideruar kundërpërgjigjen e saj ndaj sanksioneve të fundit. “Do të reagojnë sapo të përfundojmë analizat tona”, deklaroi ai, transmeton tch.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk iu përgjigj fillimisht sanksioneve të ish-presidentit Barack Obama, por njoftoi reduktimin e ndjeshëm të stafit amerikan në korrik. Diplomatët e përjashtuar duhet të largohen nga Rusia brenda ditës së sotme (e premte), vetëm një ditë përpara se urdhri amerikan për mbylljen e konsullatës ruse dhe përfaqësive të tjera – kryesisht me misione tregtare, – të realizohet.

Një zyrtar i lartë i administratës tha të enjten se, pavarësisht mbylljes së ndërtesave, stafit rus nuk do t’i kërkohet detyrimisht largimi nga vendi. Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi gjithashtu se sanksionet amerikane ishin “në frymën e barazisë”.

Më herët gjatë gushtit, Trump tha se marrëdhëniet e SHBA me Rusinë ishin “rrezikshmërisht” të ulëta, pas grindjeve me Kongresin për shkak të miratimit të sanksioneve të reja ndaj Moskës. Trump i ka nënqeshur pretendimet se Rusia është përpjekur të ndërhyjë në zgjedhje për ta favorizuar atë, gjë për të cilën janë duke u kryer një sërë hetimesh paralele për të përcaktuar nëse dikush nga stafi i fushatës së Trump ka bashkëpunuar me Moskën.

Por Kremlini i ka hedhur vazhdimisht poshtë akuzat për ndërhyrje, ndërsa Trump ka këmbëngulur se nuk ka pasur kurrfarë bashkëpunimi, duke i quajtur hetimet “gjueti shtrigash”.

Exit mobile version