Site icon Telegrafi

Sanksionet e reja, reagon Koreja e Veriut: Ky është akt lufte

Koreja e Veriut i konsideron si “shpallje lufte” sanksionet e miratuara të shtunën nga Këshilli i Sigurimit i OKB.

Përmes një komunikate për shtyp të Ministrisë së Jashtme, Peniani i konsideron sanksionet si shkelje të rënda të sovranitetit të vendit, që cenojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Shteti komunist kërcënon të gjithë ato vende që votuan pro sanksioneve të reja, të paguajnë një çmim të lartë, përcjell tvklan.al.

Mes tyre është edhe Kina, partneri më i ngushtë tregtar i Koresë së Veriut. Kina u bë pjesë e votës unanime për sanksionet e reja së bashku me Rusinë.

Rezoluta e hartuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikon ndër të tjera ndërprerjen e 90% të furnizimit me naftë të Koresë së Veriut.

Sipas Uashingtonit, ndërprerja e furnizimit me naftë është e vetmja mënyrë për të penguar zhvillimin e programit bërthamor dhe raketor të vendit komunist.

Koreja e Veriut konsiderohet si rrezik për sigurinë ndërkombëtare veçanërisht pas testit raketor të nëntorit, të raketës ndërkontinentale Huasong-15 që fut në rreze gjithë territorin amerikan.

Exit mobile version