Manchester Unitedi po mendon që ta bëjë Alexis Sanchezin zëvendësues të Romelu Lukakut, pasi ky i fundit është afër kalimit në këtë afat te Interi.
Sulmuesi kilian kishte një kohë jo të mirë në Old Trafford, që kur u transferua nga Arsenali në janar të vitit 2018.
Lojtari 30-vjeçar ka shënuar vetëm pesë gola në 45 paraqitje për Djajtë e Kuq në të gjitha garat, derisa kishte përsëritje të lëndimeve.
Por, Sanchez tregoi formë të lartë në Kupën e Amerikës që përfundoi para pak ditësh, e që i ka dhënë shpresë Manchester Unitedit se ai mund të rikthehet në formë.
Lukaku është shumë afër kalimit te Interi për shumën e 66 milionë eurove, derisa kiliani shihet si zëvendësues i tij.
Ish-anëtari i Barcelonës është aktualisht lojtari më i paguar i skuadrës angleze, e që sezoni i ri do të jetë një test përfundimtar për të, mirëpo që mund të largohet edhe në janarin e vitit 2020, nëse nuk e tregon përsëri veten. /Telegrafi/