Aktori francez, Samy Naceri, i cili është lënduar pas një përleshjeje në Moskë, është operuar në Institutin e Sëmundjeve të Syrit në kryeqytetin rus dhe tash ndihet më mirë.
“Ai është duke u riaftësuar. Syri i tij është duke u shëruar”, ka thënë për TASS drejtori i institutit dhe oftalmologu kryesor në Ministrinë e Shëndetësisë ruse, Vladimir Neroyev.
Më 5 gusht, ylli i filmave “Taxi” ishte lënduar pas një përleshjeje të nisur në një bar në Moskë dhe më pas ka kërkuar ndihmë mjekësore. Aktori kishte pësuar lëndime në kokë, fytyrë dhe në sy. Në një intervistë për Sputnik, Naceri ka treguar se ngjarja kishte ndodhur në një karaoke bar, me ç’rast aktori dhe miqtë e tij kishin dashur të këndonin më shumë dhe pastaj kishin dalë jashtë lokalit për t’u përleshur me një grup tjetër.
Pronarja e barit ka thënë se Naceri nuk e kishte respektuar traditën ruse për ta pritur radhën për të kënduar dhe ky ka qenë shkaku i nisjes së zënës, duke qenë se të gjithë ishin të dehur. Mirëpo, aktori i ka hedhur poshtë pohimet e saj duke thënë se nuk konsumon alkool, sepse merr barna.
Madje ai ka thënë se i kishte thënë vëllait të vet të largoheshin, mirëpo rusët i kishin ndjekur dhe i kishin sulmuar, ndërsa sipas tij, stafi i sigurimit të barit nuk kishte ndërhyrë për ta ndërprerë përleshjen.
Në një postim në Isntagram, Samy ka thënë se është mirë dhe i ka hedhur poshtë raportimet në media se ka pësuar lëndim serioz në kokë.
Në ndërkohë, lista e zënkave dhe përleshjeve të dhunshme të aktorit francez është shumë e gjatë.
Në vitin 2005, ai e kishte sulmuar një 22-vjeçar në një restorant në Paris duke e goditur me taketuke. Ai u dënua për sulm dhe qëndroi dy muaj në burg. Në vitin 2006, ai u burgos për abuzim racor ndaj policëve.
Në janar të vitit 2007, u akuzua për tentim-vrasje pasi e theri me thikë një roje sigurie në Aix-en-Provence. Asokohe u dënua me nëntë muaj burg, por qëndroi vetëm tre muaj dhe u lirua gjashtë muaj me kusht.
Naceri i kaloi një muaj në burg edhe pasi i kishte sulmuar dy roja në një qendër mjekësore, ku po trajtohej pas mbidozës me drogë.
Krahas sjelljes së dhunshme, ylli i filmave “Taxi” ka një histori të gjatë edhe me abuzimin me substancat narkotike. Në vitin 2003, ai ishte dënuar me tetë muaj burg, i ishte pezulluar leja e vozitjes për tre vjet dhe ishte gjobitur me 5.000 euro, për shkaktimin e një incidenti në rrugë duke përplasur një veture dhe duke sulmuar njërin prej pasagjerëve. Edhe në ditët e sotme, aktori vazhdon të trajtohet për të hequr dorë nga droga.
Në ndërkohë, Luc Besson e ka xhiruar vazhdimin e pestë të filmit “Taxi”, në të cilin nuk luan Naceri. /Telegrafi/