Telegrafi

Samsung prezanton Galaxy SIII (Foto)

Galaxy S III është zbuluar në një ngjarje ekskluzive të kompanisë në Londër, ndërsa risitë kryesore të këtij modeli, përveç shpejtësisë së procesorit dhe madhësisë së ekranit, janë edhe njohja e fytyrës së pronarit të telefonit, fotografitë e shumëfishta brenda një shkrepje, shikimi i videove në telefon ndërsa shkruani SMS porosi, dhe më shumë se kaq. 

Samsung po shpreson që me telefonin e saj më të ri, t’i mbajë rivalët e saj larg nga pjesa e vet e tregut, si dhe të konkurrojë edhe më ashpër me Apple iPhone. 

Për më shumë, Samsung Galaxy SIII ka një përgjigje edhe për iPhone Siri, pasi që një funksion të ngjashëm e ofron edhe ky model. 

Në anën tjetër, Galaxy SIII ka edhe sensorin e syrit i cili ia pamundëson ekranit që të zbeh ndriçimin. 

Galaxy SIII fillimisht do të lansohet në Evropë, në fund të muajit maj, ndërsa paraqitja e këtij telefoni në SHBA pritet të ndodhë gjatë muajit dhjetor.

 

Galaxy SIII do të vijë në dy ngjyra, të bardhë dhe të kaltër, ndërsa ekrani i saj me 4.8 inç në teknologjinë AMOLED Plus vjen me 1280 x 720 piksel.

Mbështjellësi i telefonit është i bërë nga plastika e polikarbonit, në madhësi prej 136.6mm x 70.6mm x 8.6mm dhe peshon 133 gram.

Kamera e pasme e telefonit është me 8 mega-piksel, ndërsa ajo e përparme me 1.9 mega-piksel.

Kapaciteti i memories vjen me 16 GB dhe 32 GB fillimisht, për tu pasuar më pas edhe me 64 GB, pas vendosjes së mikro kartelës SD.  / Telegrafi /