Site icon Telegrafi

Samsung prezanton Galaxy A56, dizajn i ri dhe gjashtë vite mbështetje softuerike

Samsung prezantoi telefonin më të ri të segmentit të mesëm – Galaxy A56.

Galaxy A56 vjen me një sërë përmirësimesh për dallim nga gjenerata e kaluar, përfshirë mbushjen e shpejtë dhe ekranin më të madh, transmeton Telegrafi.

Telefoni tani është gjithashtu më i hollë, ka një trashësi prej 7,4 milimetra. Moduli me kamera është ridizajnuar, kurse në ekran dhe në pjesën është vendosur mbrojtja Gorilla Glass Victus+, derisa korniza është e punuar nga alumini.

Është telefoni i parë me çipin Exynos 1580, pavarësisht faktit që Samsung e prezantoi në tetor të vitit të kaluar.

Çipi i Samsung paraqet një avancim të madh në raport me paraardhësin, kurse ka 2,9 GHz CPU, AMD GPU me 2x WGP dhe NPU me 14.7 TOPS, e për fat të keq do të ketë vetëm 8 GB RAM edhe pse ishte raportuar për 12.

Ekrani është përmirësuar dhe tani është 6,7-inç Super AMOLED me ndriçim 1900 nit e ekrani është Full HD+ dhe mbrojtje Gorilla Glass Victus+.

Sa i përket kamerave nuk ka ndonjë ndryshim. Galaxy A56 ka sensorin kryesor prej 50 MP, atë ultra të gjerë prej 12 dhe makro prej 5 MP, e në anën e përparme gjendet kamera selfie prej 12 MP.

Ajo çfarë ka ndryshuar është algoritmi që vihet në punë nga inteligjenca artificiale. E ajo çfarë do të gëzojë të gjithë është që Samsung ka premtuar gjashtë përditësime të sigurisë për A56, si dhe gjashtë vite përditësim në sistemin operativ.

Telefoni është i disponueshëm në Android 15 dhe softuerin One UI 7.0. Ky është telefoni i parë i serisë Galaxy A që mbështet mbushësin prej 45W, i cili më herët ishte rezervuar për telefonat premium të Galaxy S.

Samsung këtë lloj mbushje e quan Super Fast Charge 2.0 dhe ka një bateri prej 5.000mah që mbushet për 68 minuta.

Samsung Galaxy A56 do të jetë i disponueshëm në ngjyrat Graphite Gray, Light Gray, Olive dhe Pink. Çmimi për modelin 128 GB do të jetë 479 euro, derisa ai me 256 GB do të kushtojë 529 euro. /Telegrafi/

Exit mobile version