Site icon Telegrafi

Samsung padit rivalin kinez për shkeljen e pretenduar të patentave në ekranet e iPhone

Samsung Display ka ngritur një padi kundër BOE Technology, duke akuzuar rivalin kinez për shkeljen e pesë prej patentave të saj për ekranet e përdorura në telefonat e tyre, duke përfshirë iPhone 12-shin e Apple.

Samsung Display, një njësi e Samsung Electronics, i kërkoi një jurie federale në Teksas të jepte dëmshpërblim për shkeljen e patentave në lidhje me OLED-at e ofruar nga BOE. Samsung kërkon gjithashtu një urdhër nga gjykata për të ndaluar importin dhe shitjen e ekraneve në fjalë.

Lënda u depozitua të mërkurën në gjykatën amerikane në Teksasin Lindor, e cila ka një reputacion për seanca më të shpejta dhe vendime për çështje të ndryshme, raporton Reuters, transmeton Telegrafi.

Apple ka përdorur ekranet OLED në disa nga modelet e saj Apple Watch dhe iPhone, duke përfshirë edhe iPhone 14-shin, telefonin më të fundit nga gjiganti amerikan. Apple thotë se OLED jep rezolucion të lartë dhe lejon një ekran më të hollë se një ekran tradicional.

Tregu i ekraneve OLED dominohet nga Samsung Display, me BOE që ngushton hendekun, duke kaluar LG Display të Koresë së Jugut si lojtari numër 2 vitin e kaluar, sipas studiuesit të tregut Omdia.

“Samsung Display ka pësuar dhe do të vazhdojë të pësojë dëm të pariparueshëm si rezultat i shkeljes së ‘Patentës 599’ nga të pandehurit, për të cilën nuk ka asnjë mjet juridik adekuat në ligj, përveç rasteve kur shkelja e të pandehurve është urdhëruar nga kjo gjykatë”, thotë padia, duke iu referuar patentës 599, e cila përmirëson cilësinë e imazhit të një pajisjeje. /Telegrafi/

Exit mobile version