Telegrafi

Samsung Galaxy S5 me procesor 64-bit, kamerë me 16MP…

Në kohën kur Apple kishte prezantuar modelin e saj më të ri të telefonit, iPhone 5S me procesorin me 64-bit, reagimi i Samsung ishte i menjëhershëm pasi lideri botëror i telefonave mobil kishte thënë se telefonat e saj të ardhshëm do të vijnë me procesorin me 64-bit.

Tani një raport i ri medial thotë se Samsung Galaxy S5 do të jetë i pajisur me procesorin Samsung Exynos 6 me arkitekturë 14nm me mbështetje 64-bitëshe.

Përveç procesorit të fuqishëm, Galaxy S5 do të përfshijë edhe konfigurimin e ARM’së big.LITTLE octa-core me bërthamat e Cortex A-53 dhe A57.

Karakteristikat tjera të Samsung Galaxy S5 përfshijnë edhe versionin e fundit të Android, 4.4 Kit Kat, kamerën e pasme me 16 mega-piksel e cila do të jetë e njëjtë me atë që aktualisht përdoret në Samsung Galaxy S4 Zoom.

Pritjet janë që Samsung ta prezantojë gjeneratën e pestë të telefonit Samsung Galaxy S5 në janar të vitit të ardhshëm, ndërsa debutimi i telefonit në tregun ndërkombëtar pritet të bëhet në shkurt të 2014-tës. / Telegrafi /