Rregullatori i konkurrencës i Australisë tha të enjten se një gjykatë ka urdhëruar njësinë lokale të Samsung Electronics të paguajë një dënim prej 9.65 milionë dollarë (rreth 9.1 milionë euro) për pretendime mashtruese për një veçori të rezistencës ndaj ujit në disa prej smartfonëve të saj.
Samsung Australia pranoi se ka mashtruar blerësit e disa prej telefonave të saj ‘Galaxy’ në lidhje me nivelin e rezistencës ndaj ujit, tha Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Konsumatorit (ACCC). Rregullatori e kishte paditur për herë të parë kompaninë në korrik të vitit 2019, transmeton Telegrafi.
Rregullatori tha se midis marsit 2016 dhe tetorit 2018, kompania publikoi reklama në dyqane dhe në mediat sociale që pretendonin se telefonat mund të përdoreshin në pishina ose në ujin e detit.
ACCC, megjithatë, mori qindra ankesa nga përdoruesit duke thënë se telefonat inteligjentë nuk funksiononin siç duhet ose madje pushuan së funksionuari tërësisht pasi u ekspozuan ndaj ujit.
Pretendimet “promovuan një pikë të rëndësishme shitjeje për këta telefona Galaxy. Shumë konsumatorë që kanë blerë një telefon Galaxy mund të jenë ekspozuar ndaj reklamave mashtruese përpara se të merrnin vendimin e tyre për të blerë një telefon të ri”, tha kryetarja e ACCC-s, Gina Cass-Gottlieb. /Telegrafi/