Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave dhe rrugët që do të bllokohen në Tiranë për sigurimin e mbarëvajtjes së samitit BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor.
Bllokimi nis nga e hëna, në orën 14:00 dhe zgjat deri të martën pasdite, pas largimit të delegacioneve të liderëve evropianë.
Për garantimin e sigurisë së personaliteteve të larta evropiane pjesëmarrëse në të, perimetri i sigurisë do të përfshijë Stadiumin “Air Albania”, Pallatin e Kongreseve dhe godinën e kryeministrisë dhe gjithë zonën përreth.
Sipas planit të masave në këtë zonë do të ndalohet tërësisht lëvizja e automjeteve, si edhe e qytetarëve që nuk janë rezidentë, përveç të punësuarve. Referuar masave, e bllokuar do të jetë rruga e Elbasanit nga kryqëzimi i “7 xhuxhave” në rreth-rrotullimin e Saukut, segmenti i Unazës së Vogël në të dy krahët nga “7 xhuxhat” deri tek kryqëzimi pranë parkut “Rinia”, si edhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga ura e Lanës, deri tek ish-Garda e Republikës.
E bllokuar do të jetë edhe rruga nga ura e këmbësorëve mbi Lanë pranë Katedrales Katolike, deri tek stadiumi “Air Albania” dhe cdo aks që lidh këtë rrugë me rrugën e Elbasanit dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Për të krijuar një korridor sigurie për shoqërimin e delegacioneve nga Rinasit në Samit, do të jetë tërësisht e bllokuar aksi nga rrethrrotullimi i Saukut – Unaza e Re në drejtim të Pallatit me Shigjeta – ish-sheshi Shqiponja”- autostrada Tiranë-Durrës – Kthesa e Kasharit-Rinas.
Nga ana tjetër, me gjithë këmbënguljen e Partisë Demokratike për të protestuar në bulevard në 6 dhjetor, Policia e Shtetit e vlerëson këtë përpjekje cenim të perimetrit të sigurisë.
Zyrtarët e Policisë së Shtetit pohuan se në institucionet arsimore brenda perimetrit të sigurisë do të ketë mësim në 6 dhjetor. Punonjësit në institucionet publike a private do të identifikohen me “badget” përkatëse, ndërsa banorët rezidentë do të identifikohen nga Specialistët e Policimit në Komunitet, madje do të shoqërohen nga efektivë drejt banesave të tyre. /Telegrafi/