Site icon Telegrafi

Samiti i OSBE-së Maqedonisë së Veriut do t’i kushtojë deri 8 milionë euro, Osmani: Duhet të respektohen të gjitha standardet

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në një konferencë për shtyp tha se organizimi i samitit final të OSBE-së në Shkup do të kushtojë nga 5 deri në 8 milionë euro dhe të gjithë këtë shumë do ta paguajë Maqedonia e Veriut si shtet kryesues.

Ai theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme do të shpenzojë gati një milion euro vetëm për marrjen me qira të veturave me të cilat do të transportohen për disa ditë ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të OSBE-së nëpër Shkup, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Kontrata është lidhur me kompaninë “ABC Rent a Car DOOEL Shkup”, e cila ka qenë ofertues i vetëm në konkurs, kështu që nga aty duhet të marrin me qira 175 vetura, ndër të cilat 35 automjete VIP duhet të jenë të zeza, 70 vetura të klasës së mesme, 25 duhet të jenë minibus, 25 mikrobusë dhe 10 autobusë.

“Unë thashë se duhet të respektohen të gjitha standardet e OSBE-së, edhe lloji i automjetit, marka e automjetit, hapësira, numri etj. Marrëveshja që arritëm me agjencinë ‘rent a car’ është një marrëveshje kornizë si plan rezervë, sepse duhet që sipas standardeve të OSBE-së të kemi automjete të parashikuara për çdo ministër, për çdo delegacion që nga dita e mbërritjes deri në ditën e largimit”.

“Kontrata është bërë si kornizë, që do të thotë se përcaktohet çmimi për automjet dhe për ditë. Dhe në kontratë thuhet qartë se ministria nuk ka asnjë detyrim të përdorë të gjitha mjetet, pra aq sa i duhen pasi të shterojmë të gjitha burimet e brendshme. Pjesa tjetër për të cilën nuk do të kemi automjete, do të kemi ku të sigurojmë automjete. Duhet ta bëjmë dhe jemi të mbuluar”.

“I thirrëm të gjitha agjencitë për të parë pulsin e tregut, por në fund telefonoi vetëm një agjenci. Pse është kështu, do të duhet të pyesni nëse të tjerët kanë pasur numrin e nevojshëm të automjeteve me specifika dhe dimensione të tilla apo nuk janë të interesuar, por kjo nuk është pyetje për ne”, tha Osmani./Telegrafi/

Exit mobile version