Telegrafi

Samiti në Sofje, Sllovakia kërkon të mos ketë flamuj dhe simbole shtetërore – shkaku i Kosovës

Sllovakia mbështet organizimin e samitit në Sofje në një format pa flamuj dhe simbole shtetërore.

Kjo është deklaruar, siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, nga sekretari i Shtetit i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës Sllovake, Ivan Korçok.

“Kështu kemi vepruar edhe në disa raste në të Kaluarën si dhe në disa raste gjatë presidencës sonë në Këshillin e BE-së”, ka thënë ai për “Večernje novosti”.

Korçok, i cili së bashku me kryeministrin e Sllovakisë, Peter Pellegrini, do të marrë pjesë në samitin në Sofje, ka thënë se Sllovakia shumë herë është përcaktuar qartë se çfarë lloj qëndrimi ka për Kosovën.

“Qëndrimi i Sllovakisë ndaj shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nuk ndryshon”, citojnë tutje mediat serbe Korçok.

Ai ka folur edhe rreth integrimeve në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë të gjitha kushtet dhe për të arritur përparim të mjaftueshëm për të mbyllë të gjithë kapitujt. Këto janë thelbësore dhe kërkesat e vetme për anëtarësim në BE”, ka potencuar Korçok. /Telegrafi/