Site icon Telegrafi

Samiti i NATO-s në Tiranë, Rama: Ballkani në hartën e sigurisë

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Konferencën e Komitetit të NATO-s që po mbahet këtë të shtunë në Tiranë, ka deklaruar se Shqipëria do të rrisë kontributin e saj në radhët e Aleancës dhe do të shtojë shpenzimet ushtarake.

“Ne jemi bashkuar në angazhimet e Aleancës në një nivel mbiprofesional. Misionet e Shqipërisë në NATO nuk kanë marrë asnjë votë kundër në Kuvendin e Shqipërisë. Pjesëmarrja jonë nuk ka qenë e lehtë për shkak të resurseve të kufizuara të vendit, por prania jonë do të fuqizohet me shtimin e shpenzimeve për mbrojtjen, ashtu sikurse FA tona do të jenë prezent në çdo front ku do të thirren. Edhe në të ardhmen ne do të japim kontributin tonë për angazhimet e NATO-s”, ka deklaruar Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare ka nënvizuar se një tjetër përgjegjësi për Shqipërinë, si vend anëtar i NATO-s, është që Ballkani të shndërrohet në një rajon të paqes dhe stabilitetit.

“Me hyrjen e Malit të Zi në NATO, që Shqipëria e ka mbështetur fuqishëm, Aleanca jonë përveç se Atlantike u bë edhe “Adriatike”. Deti Adriatik është shndërruar në një det të brendshëm për Aleancën, duke i dhënë asaj kontrollin në një aset maritim shumë të rëndësishëm”, ka thënë Rama, raporton TCH.

Megjithatë, ka vijuar ai, hartës së NATO-s i mungojnë Bosnje e Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Kosova, të cilat sipas kryeministrit do të kompletojnë organigramën e sigurisë europiane.

“Kjo zonë, ende e papërfshirë në arkitekturën e sigurisë europiane, përbën një territor ku aktorë të tretët shohin vulnerabilitet dhe mundësi për penetrim. Shqipëria ka një interes, por dhe përgjegjësi që kjo pjesë organike e rajonit të shndërrohet në faktor të prosperitetit të tij. Si vend i NATO-s ne jemi përpjekur dhe kemi arritur jo pak në një proces që vazhdon”, ka pohuar Rama.

Mbështetja e disa proceseve, duke filluar nga konsolidimi i demokracisë së re në Kosovë, inkurajimi i politikave dhe faktorëve euro-atlantikë në Maqedoni dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë janë disa nga drejtimet kryesore ku është përqëndruar politika e jashtme e Shqipërisë, ka saktësuar më tej Rama.

“Së fundmi Serbia ka dhënë disa sinjale për një qasje të re politike ndaj NATO-s dhe BE-së. Megjithatë, këmbëngulja e serbëve për një formulë tjetër sigurie, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, e ndërlikon perspektivën e një arkitekture të qartë e të qëndrueshme”, ka thënë Rama.

Exit mobile version