Telegrafi

Samiti i Berlinit dhe ai i Parisit përpjekje për zhbllokimin e dialogut Kosovë-Serbi

Mundësitë e zhbllokimit të bisedimeve Kosovë-Serbi, që do të mund të çonin drejt marrëveshjes përfundimtare me njohje reciproke, u diskutuan edhe në Samitin e Berlinit, edhe në Samitin e Tiranës, mirëpo, deri më tani pa ndonjë rezultat konkret.

Tani Samiti i Parisit i 1 korrikut po shihet nga njohësit e rrethanave politike si mundësi për shtyrjen përpara të dialogut Kosovë- Serbi.

Pjesëmarrja e Kosovës në këto samite po shihet si pozitive për vendin.

Sipas njohësve të çështjeve politike, Kosova është futur përsëri në agjendat e shteteve më të fuqishme evropiane.

Analisti Mazllum Baraliu shpreson se iniciativa e Berlinit vazhdoi në Tiranë, pastaj në Potsdam dhe në Paris më 1 korrik, do ta vënë në binarë të sigurt dialogun Kosovë-Serbi dhe në kushte të barabarta, për ta pranuar Kosovën si palë të barabartë dhe jo për t’i pranuar kushtet e Serbisë, në një kohë kur ajo ka përgjegjësi për një gjenocid që ka kryer regjimi saj në Kosovë., raporton RTV21

“Vazhdimi i dialogut nuk është i domosdoshëm për Kosovën, por është i domosdoshëm për Serbinë për t’i vazhduar kapitujt drejt integrimit në BE”, tha Baraliu.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, e sheh pozitive pjesëmarrjen e Kosovës në samitet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai thotë se Kosova është kthyer në agjendën politike të shteteve të fuqishme të Bashkimit Evropian, siç janë Gjermania dhe Franca.

Baraliu thotë se mbajtja e samitit të ardhshëm në Paris është zhvendosje e dialogut nga Bashkimi Evropian në shtete individuale. /Telegrafi/