Është një prej çështjeve më kontradiktore dhe për këtë arsye, vendimet për të mund të merren më shpejt se sa për premtime të tjera të qeverisë italiane.
Të paktën kështu mendon ministri i ri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, për çështjen e emigrantëve. Gjatë një evenimenti publik, i pritur nga mijëra mbështetës të zjarrtë, lideri i Lega Nord tha se do të udhëtojë drejt Siçilisë, e cila sipas tij është kufiri i vërtetë i vendit ndaj emigrantëve.
Salvini tha se duhen përmirësuar marrëveshjet me vendet nga të cilët vijnë me mijëra njerëz në mënyrë ilegale, ndërsa për këta të fundit mesazhi ishte i qartë.
“Për klandestinët mbaruan kohët e bukura. Tani duhet të bëjnë gati valixhet. Me qetësi, por duhet të ikin”, deklaroi ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, shkruan TCH.
Ministri nuk përmendi shifra, por nëse fjalët e tij shndërrohen në realitet, mijëra refugjatë do të riatdhesohen nga Italia. Salvini nuk kurseu sulmet as për organizatat joqeveritare, që kanë shpëtuar me qindra emigrantë në det dhe më i pas zbarkojnë ata në brigjet e Italisë.
Sipas ministrit të Brendshëm, shtetet duhet të bëjnë punën e tyre dhe asnjë skafist nuk duhet të ankorojë më në brigjet italiane. /Telegrafi/