Telegrafi

Salman Rushdie ka humbur shikimin në njërin sy dhe njërën dorë e ka jo funksionale, pas therjes me thikë – thotë agjenti i tij

Shkrimtari Sir Salman Rushdie ka humbur shikimin në njërin sy dhe njëra dorë e tij nuk është funksionale pasi u godit me thikë në skenë, ka zbuluar agjenti i tij.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shkrimtari britanik me origjinë indiane, i cili u përball me kërcënime me vdekje për romanin e tij “Vargjet Satanike”, u sulmua në gusht teksa ishte gati të mbante një leksion në shtetin e Nju Jorkut.

Ai u godit me thikë rreth 12 herë, duke përfshirë në fytyrë dhe qafë, por shkalla e plotë e lëndimeve të tij ishte e paqartë deri më tani.

Por në një intervistë me gazetën spanjolle El Pais, agjenti letrar i Sir Salman, Andrew Wyle, tha se lëndimet e 75-vjeçarit ishin “të thella” dhe ai “kishte humbur shikimin në njërin sy”.

“Ai kishte tre plagë të rënda në qafë”, ka bërë të ditur Wylie.

“Njëra dorë është e paaftë për shkak se i janë prerë nervat në krah. Dhe ai ka plagë të tjera. Pra, ishte një sulm brutal”.

Wylie refuzoi të zbulonte nëse Sir Salman mbeti në spital, duke thënë se ai nuk mund të jepte asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

“Ai do të jetojë… kjo është gjëja më e rëndësishme”, shtoi ai.

Sir Salman kaloi gati një dekadë duke u fshehur pas botimit në vitin 1988 të veprës së tij Vargjet Satanike, të cilën disa myslimanë e konsiderojnë si blasfemi.

Një fetva, ose dekret fetar, që u bënte thirrje myslimanëve ta vrisnin, u lëshua nga Ayatollah Khomeini, udhëheqësi iranian, një vit më vonë.

Personi i akuzuar për therjen me thikë të Sir Salman është deklaruar i pafajshëm për akuzat për tentativë vrasje dhe sulm.

Hadi Matar, 24 vjeç, po mbahet në paraburgim teksa pret gjykimin. /Telegrafi/