Me fillimin e ndërtimit të lagjes serbe në veri, e njohur si “Lugina e Diellit”, konfirmohet edhe njëherë se në atë pjesë të vendit qeverisë Serbia dhe jo Kosova, thotë politologu Donik Sallova, në emisionin “Kontakt”, me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel.
“Ky është një projekt direkt me të cilin Serbia synon ta forcojë prezencën e vet shtetërore politike, por tashmë edhe etnike në Kosovë”, ka thënë Sallova, duke shtuar se me këtë projekt Serbia po synon kolonizimin.
Sa i përket pjesëmarrjes së ministrave serbë të Qeverisë së Kosovës, në inaugurimin e këtij projekti, Sallova e fajëson kryeministrin Mustafa.
“Kryeministri Mustafa është totalisht një kryeministër i pafuqishëm, impotent politikisht, i cili nuk denjon që t’i ftojë këta ministra në kabinetin e tij dhe t’ua tërheq vërejtjen”, ka thënë ai.
Mustafa, sipas politologut Sallova, më shumë po sillet si një administrator i Qeverisë.
Ndërsa, duke folur për koalicionin e mundshëm qeveritar pas zgjedhjeve të ardhshme, ai thotë se AAK-NISMA mund të jenë partner të PDK-së bashkë me ndonjë partin tjetër që e kalon pragun, siç mund të jetë AKR ose ndonjë parti satelite. /Gazeta Tribuna/