Site icon Telegrafi

Sallahu: Pasuria që nuk justifikohet, do të konfiskohet

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se të gjithë zyrtarët publikë të cilët marrin paga nga buxheti i Kosovës dhe të cilët nuk mund ta justifikojnë pasurinë, ajo do të konfiskohet nga Gjykatat e Kosovës. 

Në në korrik të vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës e ka votuar në lexim të parë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar. Ky projektligj ka kaluar vetëm me votat e deputetëve të pozitës, derisa nuk e ka marrë mbështetjen e opozitës.

Zëvendësministri Sallahu ka thënë se ky projektligj i shërben vetëm luftimit të korrupsionit të zyrtarëve publikë, asgjë më shumë.

“Prandaj, këtij projektligji duhet t’i hapim rrugë të futet në fuqi dhe të konfiskojë atë pasuri që nuk është në përputhje me të ardhurat e personave publikë”, ka thënë Sallahu, për RTK.

Lexo po ashtu Tahiri: Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme bie ndesh me Kushtetutën

Pra, sipas tij, nëse një pagë e caktuar nuk e mbulon një pasuri që është e paligjshme, ajo pasuri duhet të konfiskohet.

“Agjencia e cila është e përcaktuar me këtë projektligj vetëm e verifikon pronën dhe pasurinë e personave publikë, kurse Gjykata e sekuestron ose e konfiskon pasurinë e tillë,” ka shtuar Sallahu.

“Deri më tash edhe nga shoqëria civile edhe nga të tjerët është keqinterpretuar kinse agjencia konfiskon pasuri të personave publikë. Kjo nuk është e vërtetë”, tha Sallahu.

Ai ka thënë se konfiskimin e pasurisë si kompetencë ekskluzive dhe kushtetuese e ka vetëm sistemi i drejtësisë.

Exit mobile version