Telegrafi

Debati për sallën koncertale: Arkitektët akuzojnë Komunën e Prishtinës, për mos gjetjen e lokacionit të duhur

Mospajtimet për lokacionin e Sallës Koncertale dhe rrënimin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”, vazhdojnë edhe në mesin e arkitektëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Asociacioni i Arkitektëve te Kosovës, organizoi këtë pasdite diskutim këtë sallë, ku u parashtruan idetë se cili është lokacioni më i përshtatshëm.

“Kemi ardhur këtu për të diskutuar për një Komunë e cila nuk di ose nuk do për të kërkuar, ose për të paraqitur një projekt-propozim”, ka thënë kryetari i Shoqatës të Arkitektëve të Kosovës, Astrit Nixha.

Këtë nuk e mohoi drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, i cili pranoi se ka pasur ‘çalime’. Sipas tij, “Gërmia” ka qenë lokacioni më i përshtatshëm – sipas Komunës – ndërsa ai personalisht ka qenë kundër rrënimit të objektit në fjalë.

Profesori i jashtëm në Departamentin e Filozofisë, Astrit Salihu, e quajti të vonuar debatin për ndërtimin e kësaj salle. Ai tha se nuk është as ‘kundër’ e as ‘për’ rrënimin e ish-objektit të Shtëpisë së Mallrave. Ndërsa. arkitekti Ilir Gjinolli tha se lokacioni më i mirë për sallën koncertale është te Pallati i Shtypit, pasi është lokacion i hapur dhe nuk ka pengesa vizuale.

“Prej se ka shkuar Lulzim Nixha, drejtorët në Urbanizëm janë ndërruar dhe asnjëherë nuk ka pasur një arkitekt, përveç Liburnit, i cili më shumë është marrë me ndërtimet pa leje”, tha Gjinolli.