Telegrafi

Saliu: Lokalizohen zjarret në Trebovle dhe Breznicë

Zjarri në fshatin Trebovle dhe Breznicë e Re është lokalizuar. Për momentin është duke u vepruar në mënyrë parandaluese me helikopterë dhe aeroplanë, ndërsa një pjesë e forcave janë drejtuar nga Katllanova e Shkupit, informoi sot në konferencë shtypi drejtori i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Shaban Saliu dhe shtoi se së shpejti me aeroplanët për shuarjen e zjarreve do të veprojë në atarin e Gjorçe Petrovit drejt kufirit me Kosovën në të cilin nga zjarri është përfshirë një pyll pa qasje, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Në Trebovle u djeg rreth 300 hektarë, ndërsa veprojmë me rreth 82 pjesëtarë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) dhe dy helikopterë. Të pranishëm ishin njësitet territoriale të zjarrfikësve prej tetë qyteteve. Në shuarjen e zjarrit morën pjesë edhe 20 pjesëtarë të Pyjeve të Maqedonisë, ndërsa pati edhe dhjetëra prej vetëqeverisjes lokale”, tha Saliu dhe shtoi se ndihmë kanë marrë edhe prej 60 pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë.

Drejtori i DMSH-së akuzoi se zjarri i djeshëm në Trebovle është përhapur për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të dhjetëra personave të angazhuar të vetëqeverisjes lokale të cilët janë tërhequr prej vendit të dakorduar ku është dashur ta lokalizojnë zjarrin me shpjegimin se kanë qenë të dakorduar të ndihmojnë deri në orën 12.

Sipas Saliut zjarri është shkaktuar prej faktorit njeri, pasi që siç tha, në disa vende në pyll janë vërejtur drunj për zjarr, njofton AIM.

Ndihmë me helikopter me shporta për ujë, siç tha, është ofruar nga Bullgaria.

Drejtori i DMSH-së informoi se deri në këtë moment ka pasur intervenime mbi 360 zjarre të pyjeve në të cilat sipërfaqe të djegura janë rreth 590 hektarë. /Telegrafi/