Qeveria do të angazhojë ekspert ndërkombëtarë për të zbardhur rastin e “Kumanovës”, thotë Ministri i Drejtësisë Bilent Saliji. Sikurse kolegu i tij nga Ministria e Punëve të Brendshme, as Saliji nuk jep afat se kur ekspertët e huaj do të fillojnë me rihetimin e rastit të “Lagjes së Trimave”.
“Tanimë jeni të njoftuar se qeveria me programin e saj është e përcaktuar që për të gjitha rastet për të cilët hidhet dyshim në vërtetësinë e rastit, qeveria është e përcaktuar që të angazhojë edhe ekspertë ndërkombëtarë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit. Ministria e Drejtësisë në kuadër të kompetencave të veta, aktivisht do ta ndihmojë procesin”, deklaroi Saliji.
Hetim ndërkombëtar për rastin e Kumanovës kanë kërkuar edhe partitë politike në vend, pasi të njëjtat nuk besojnë në drejtësinë në Maqedoni.
Ndërsa me kërkesë të njëjtë sot dolën edhe presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj.
Përndryshe, gjatë ditës së djeshme Gjykata Penale e Shkupit dënoi me burg të përjetshëm shtatë persona, ndërsa të tjerët u dënuan me gjithsej 746 vite burg./Telegrafi/