Në selinë e FIFA-së në Zurich, sot është mbajtur takimi tri palësh, ndërmjet drejtuesve të Federatës së futbollit të Kosovës (FFK) e të Serbisë (FFS) me ndërmjetësimin e vet presidentit të FIFA-së, Sepp Blatter.
Nga pala kosovare kanë qenë presidenti, Fadil Vokrri, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe anëtari i komitetit ekzekutiv të FFK-s, Flamur Bunjaku.
Sekretari Salihu në një bisedë telefonike nga Zurichu për portalin sporti1.com ka zbuluar detaje të takimit.
“Ky takim ka qenë i paralajmëruar më herët nga zoti Blatter. Qëllimi i takimit ishte të tregojë pala serbe pse e ka kundërshtuar përfaqësimin e seleksionove të Kosovës në ndeshje miqësore ndërkombëtare”, tha Salihu.
“Kryetari Vokrri mbrojti qëndrimin tonë, ndërsa pala serbe tha se megjithatë duhet të konsultohet me shtetin e vet dhe beson se niveli politik do ta sqarojë situatën. Deri sa Blatter kërkoi të takohemi më 28 ose 29 tetor, para se komiteti ekzekutiv i FIFA-së të takohet 5 nëntor”, tha ai.
“Fjala është që përfaqësueset e Kosovës, të gjitha kategorive dhe sidomos përfaqësuesja A, të mos kenë asnjë kufizim. Na e kemi parë qëndrimin e Blatterit shumë pozitiv. Për ne prioritet është përfaqësuesja A. Kemi kërkuar të kemi të drejtën e zhvillimit të ndeshjeve miqësore të përfaqësueses A, për këtë kemi paraqitur edhe dy dokumente ndërmjet dy shteteve që tregojnë se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese”.
Në mediat serbe, presidenti i FFS-së, Tomisal Karaxhiq është shprehur i kënaqur se janë refuzuar e drejta kosovare për paraqitjen e simboleve dhe himnit të shtetit të Kosovës, ndërsa këtë e mohoi Salihu.
“Shikoni, ky ka qenë qëndrim i palës serbe, aty nuk ka pasur kurrëfarë vendimi në lidhje më këtë çështje. Bile ata janë interesuar për çështjen e futbollit në veriun e Kosovë, si do të inkuadrohen. Ne natyrisht jemi të interesuar për integrimin e të gjitha klubeve të futbollin të Kosovës në FFK”, tha sekretari i përgjithshëm.
Ai tha se madje në këtë plan ka pasur edhe kërkesë nga pala kosovarë. “Iu kemi kërkuar të mos ketë zhvillim të ndeshjeve të futbollit të klubeve të veriut të Kosovës në sistemin e tyre të garave”, tha Salihu. /Sporti1/Telegrafi/