Ndeshjet miqësore që do t’i luaj përfaqësuesja e Kosovës nuk do t’i mundësojnë asaj rangim në ranglistën mujore të kombëtareve më të mira të futbollit që e shpall Federata botërore, FIFA çdo muaj.
Lajmin për këtë e ka konfirmuar sekretari i përgjithshëm i Federatës së futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu.
“Vendimi ka të bëjë me Federatat anëtare të FIFA-së që të kenë mundësi me luajtur me klubet dhe përfaqësueset e Kosovës, prandaj për momentin Kosova nuk do të mund të rangohet në ranglistën mujore të FIFA-së”, ka thënë Salihu për ‘Sporti1’.
Kjo bën që edhe përfaqësueset kundërshtare të mos përfitojnë shumë në këtë aspekt nga zhvillimi i ndeshjeve, por drejtuesit e FFK-së janë optimist se gjërat do të marrin drejtimin e duhur pas pak kohësh, kur edhe FFK-ja të dëshmojë seriozitet e cilësi në organizimin e këtyre takimeve. /Sporti1/Telegrafi/