Eroll Salihu, sekretar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ka folur për ndalin e Cervena Zvezdas sot në Jarinë nga Policia e Kosovës, duke parandaluar zhvillimin e ndeshjes me Trepçën ilegale serbe.
Salihu i pranishëm në emisionin “Imazh” në RTK, ka folur për ndalesën e Cervena Zvezdes për të luajtur në Kosovë.
Ai e vlerësoi lart veprimin e institucioneve të Kosovës për ndalimin e skuadrës serbe.
Sipas tij, vetëm FFK organizon garat në territorin e Kosovës, dhe asnjë klub nuk mund të luajë pa lejen e FFK-së.
“Sigurisht se është konstatim i saktë, sepse Serbia përdor sportin si mjet, e terë bota e ka marrë vesh se është destruktive. Sa i përket FFK mund të them se FFK është pranuar më drejta të plota në UEFA e FIFA dhe është e vetmja që organizon gara në territorin e Kosovës”, tha Salihu.
“Ne e kemi ditur për një gjë të tillë dhe ne kemi dërguar letër të UEFA e cila nuk ka reaguar, por në mënyrë diplomatike ka tentuar më zbrapse”.
“Po të lejohet Zvezda më luajtur, ata do të thonë se kanë luajtur në vendin e vet. Ata kanë dashur të destabilizojnë një federate. FFK ka qenë në njohuri dhe ne nuk do të lejojmë të luajnë brenda territorit tonë”, theksoi Salihu.