Ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, ekspert i çështjeve të arsimit, deklaroi se në arsimin e vendit tonë gjithnjë e më shumë po zbehet karakteri edukativ dhe krejt fokusi po shkon në arsimim pa bazën edukative, e që sipas tij, ajo është shumë më e gjerë se ajo arsimore.
Në lidhje me temën e veprimeve të pahijshme të nxënësve në shkolla, Salihaj shtoi se dukuritë e tilla nuk ndodhin veç te ne, por edhe në shtete që investojnë shumë në arsim, si p.sh Amerika, por tha që tek ne arsimi nuk po trajtohet si prioritet kombëtar dhe gjithmonë do të kemi këso dukuri.
“Kanë ndodhur edhe më përpara, por që janë fshehur. Sa isha drejtor i arsimit, kisha një rast pedofilie në shkollën ‘Nazim Gafurri’ dhe ai njeri është hequr përkohësisht nga mësimdhënia, ndërsa gjykatat e kthyen në shkollë. Ne duhet të jemi të pamëshirshëm për t’i ndëshkuar ngacmimet seksuale e pedofilitë”, tha Salihaj për Klan Kosova.
“Shkollat i kemi pa pedagogë e psikologë, pa inspektorë – pra nuk monitorohen, e këto dukuri kanë për të ndodhur dhe do jenë edhe më të shpeshta”.
“Qysh në 2005 MASHT-i ka hartuar një manual ‘aftësi për jetë’, e fokusi është dhuna në edukatë seksuale. Çdo shkollë, edhe me vetëm 100 nxënës, duhet të ketë psikologë e pedagogë. S’ka me u marr ai veç me edukatë seksuale, por edhe më gjerë. Por për fat të keq shkollat tona janë të tilla”.
“Jo që edukata seksuale nuk është prezente në kurrikulë, mirëpo çështja qëndron te ajo se kush e ligjëron atë e sa shpjegohet ajo”, tha Salihaj.